Lidhje

Marshimi i përvitshëm kundër abortit


Mijëra aktivistë kundër abortit erdhën dje në Uashington, për Marshimin e Jetës, duke shënuar fundin e javës së parë të presidencës Trump, që ka ringjallur debatin mbi këtë çështje. Protesta vjetore kundër abortit u mbajt vetëm gjashtë ditë pasi rreth një gjysmë-milionë njerëz morën pjesë në Marshimin e Grave në Uashington.

Një ngjarje e përvjetshme duket ndryshe këtij viti...

Mijëra njerëzit që erdhën në Uashington për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 1973 për legalizimin e abortit, kanë marrë mbështetje nga administrata e presidentit të ri.

“Kjo është një ditë e re për jetën” tha këshilltarja e presidentit Trump Kellyanne Conway.

Një frymë e re për një lëvizje, mbështetësit e së cilës e quajnë “pro-jetës” vjen nga shpresa e një qeveria të bashkuar – republikanët në kontroll të Kongresit dhe të Shtëpisë së Bardhë, të cilët premtojnë të përshpejtojnë një prirje drejt ligjeve më strikte kundër abortit.

“Për shkak të të gjithë juve dhe të shumë mijëra të tjerëve në marshime si këto në të gjithë kombin, jeta po fiton përsëri në Amerikë” tha nënpresidenti Mike Pence.

Ishte hera e parë që një nënpresident në detyrë dha një fjalim gjatë tubimit, dhe kjo i dha inkurajim demonstruesve të cilët kanë marshuar për vite me radhë.

Por për shumë nga marshuesit, lajmi më i mirë do të vijë më vonë. Presidenti Trump pritet të njoftojë emrin e të zgjedhurit të tij për postin në Gjykatën e Lartë javën e ardhshme dhe i tha rrjetit mediatik CBN News në një intervistë se:

“Unë mendoj se të krishterët do ta pëlqejnë zgjedhjen time. Dhe do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë”.

Ajo zgjedhje premton një betejë politike në Kongres dhe një debat kombëtar mbi abortin.

XS
SM
MD
LG