Lidhje

Margaret Thatcher ose “Zonja e Hekurt”


Ish kryeministrja britanike, Margaret Thatcher vdiq sot në moshën 87-vjeçare nga një goditje në tru. Asaj i njihet merita se i ndryshoi faqen politikës britanike gjatë tre mandateve si kryeministre. Zonja Thatcher e zhvendosi Partinë Konservatore nga qendra drejt së djathtës. Ajo do të mbetet në histori si një udhëheqëse e respektuar e njohur në botë si Zonja e Hekurt.

Margaret Thatcher ishte e para grua e zgjedhur në postin më të lartë politik të Britanisë. Gjatë 11 vjetëve në pushtet, ajo shihej si një udhëheqëse botërore e respektuar që i shprehte mendimet e saj hapur.

Ajo erdhi në fuqi pas zgjedhjeve të 3 majit 1979, që çoi në rrëzimin e kryeministrit laburist James Callaghan:

"Është e rëndësishme për mua që kjo fitore u arrit në një garë të hapur elektorale me katër udhëheqës të tjerë të mundshëm. E di se ata do të mërziten, por shpresoj se së shpejti ne do të punojmë së bashku si kolegë për gjërat në të cilat besojmë", tha zonja Thatcher në atë kohë.

Në autobiografinë e saj, zonja Thatcher thotë se arritja e saj kryesore si kryeministre ishte se ia ndryshoi drejtimin Britanisë nga një socializëm i butë drejt një shoqërie të sipërmarrjes së lirë.

Pesë vjet pasi u largua nga posti, ajo tha në një intervistë se i kishte rikthyer Britanisë imazhin pozitiv në botë me qëndrimin e vet të palëkundur në favor të lirisë. Ajo kujtoi vendimin e saj në vitin 1982 për të dërguar trupa në mbrojtje të ishujve Falkland, kur ato u pushtuan nga forcat argjentinase.

E njëjta gjë mund të thuhet për dënimin që ajo i bëri pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990. Zonja Thatcher nuk ngurroi të bënte thirrje për veprim ushtarak për t'i vënë fre udhëheqësit irakian Saddam Hussein.

Ajo ishte e bija e një bukëpjekësi të klasës së mesme. Studioi kimi dhe drejtësi por shumë shpejt iu kthye politikës. Në vitet 70 ajo ishte sekretare e shtetit për arsimin dhe shkencën. Shumë shpejt zonja Thatcher u ngjit në radhët e konservatorëve dhe në vitin 1975 u bë udhëheqëse e opozitës në Parlament, para se të zgjidhej kryeministre katër vjet më vonë.

Politikat e zonjës Thatcher ngjallnin shpesh polemika. Ajo i hoqi një pjesë të fuqisë sindikatave, pakësoi shpenzimet e sektorit publik, privatizoi kompanitë shtetërore dhe e zhvendosi Partinë Konservatore nga qendra më tej drejt së djathtës.

Zonja Thatcher kurrë nuk e fshehu kundërshtimin ndaj synimit të Bashkimit Evropian për më shumë bashkëpunim ekonomik dhe politik. Ajo paralajmëroi se një bashkim i tillë mund t'i hiqte Britanisë sovranitetin.

Megjithë kritikat që i bëheshin, zonja Thatcher arriti fitore të ndjeshme gjatë votimeve për mandatin e dytë dhe të tretë si kryeministre. Por lëvizja e saj e qëllimshme drejt së djathtës politike shkaktoi zemërim mes shumë personaliteteve brenda partisë së saj.

Në vitin 1990, ajo u detyrua të largohet nga skena si udhëheqëse e partisë dhe si kryeministre.

"Zonja dhe zotërinj. Po largohemi nga Downing Street pas 11 vjet e gjysmë vitesh të mrekullueshëm. Jemi të kënaqur që po e lemë Britaninë në një gjendje shumë më të mirë se sa kur erdhëm në pushtet", tha zonja Thatcher në nëntor 1990.
Më vonë ajo u bë baroneshë dhe u emërua në Dhomën e Lordëve.

Në një fjalim të vitit 1996, zonja Thatcher ia hodhi fajin për humbjen e partisë së saj udhëheqjes së re që, siç u shpreh ajo, kishte tradhëtuar parimet e saj. Ajo që funksionon, këmbënguli zonja Thatcher, është sipërmarrja e lirë, jo qeveria e madhe.

Për ironi, Partia Laburiste e reformuar më vonë hoqi dorë nga retorika socialiste dhe përqafoi pikërisht strategjinë e zonjës Thatcher për të fituar pushtetin në vitin 1997.
Edhe në vitet e saj të fundit, zonja Thatcher nuk ndënji duarkryq, por vazhdoi pa u lodhur fushatën për kandidatët e partisë së saj dhe kurrë nuk pushoi së dhëni këshilla për brezin e ri të udhëheqësve konservatorë.
XS
SM
MD
LG