Lidhje

Shqipëri: bllokohet marijuanë në jug


Këtë fundjavë policia shqiptare dhe ajo greke bllokuan rreth 250 kilogramë marijuanë në pikën kufitare të Qafëbotës në rrethin e Sarandës

Sipas policisë sasia e drogës u gjet në tavanin e një kamioni tregëtar që po udhëtonte drejt Greqisë. Shoferi i kamionit u arrestua pas një kontrolli të imët të mjetit.

Policia tha se e zbuloi sasinë e marijuanës në kufi pas një tjetër operacioni në Berat ku katër persona u arrestuan me 80 kilogramë marijuanë.

Policia i lidhi rastet e bllokuara të marijuanës me njëra tjetrën, pasi dyshohet se personat janë marrë me kultivimin dhe transportimin e narkotikëve.

Edhe Policia e Gumenicës, rajonit grek fqinj me Shqipërinë, njoftoi arrestimin e katër shtetasve grekë. Sipas policisë greke të arrestuarit akuzohen për trafikun e dhjetëra kilogramëve marijuane me prejardhje nga Shqipëria.

Policia shqiptare dhe policia greke po përballen me raste të shtuara të trafikut të marijuanës të kultivuar gjatë këtij viti në rajone të ndryshme të Shqipërisë.

Marijuana transportohet përmes kufirit detar dhe tokësor nga rrjetet e trafikut që janë riaktivizuar së fundi. Pak ditë më parë policitë e të dy vendeve vendosën të ngrenë nivelin e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit policor me krijimin e një Qendre Informacioni të përbashkët në Pikën e Kakavijës.

XS
SM
MD
LG