Lidhje

Shitje masive të marihuanës në Kolorado


Shitjet e marihuanës së legalizuar në shtetin perendimor amerikan të Kolorados arritën në mbi 5 milionë dollarë, një javë pas hapjes së tregut të parë të kanabisit. Mbështetësit thonë se ligji do t’i japë fund arrestimeve për drogën dhe do të bëjë që forcat e rendit të përqëndrohen në krime më të rënda. Kundërshtarët paralajmërojnë se ligji – megjithë kufirin e moshës minimale 21 vjeç – do ta verë Koloradon në përplasje me qeverinë federale dhe do të inkurajojë adoleshentët të përdorin marihuanën.

Një grup i tregëtimit thotë se gati 100 mijë njerëz në Kolorado kanë blerë marihuanë.

Një zëdhënës i industrisë së kanabisit tha se shumica e dyqaneve do të jenë në gjendje të plotësojnë kërkesat:

"Këto biznese janë të afta të sigurojnë se kanë mall në çdo kohë. Ato që po veprojnë siç duhet kanë produkte të reja çdo ditë dhe prodhojnë në mënyrë të vazhdueshme."

Megjithë biznesin e shpejtë, marihuana mbetet e ndaluar sipas ligjit federal amerikan.

Marihuana mund të shitet vetëm për konsumatorët mbi 21 vjeçarë.

Megjithatë, disa mjekë ankohen se lehtësia me të cilën merret tani marihuana përbën rrezik të madh mes të rinjve.

Koloradoja dhe Uashingtoni janë mes 18 shteteve që lejojnë përdorimin e marihuanës mjekësore, por të parët në vend që e lejojnë përdorimin edhe për qëllime argëtimi. Një masë e ngjashme nuk arriti të miratohej të martën në shtetin e Oregonit.
XS
SM
MD
LG