Lidhje

Ligjshmëria e përdorimit të marijuanës në SHBA

  • Jeff Swicord

Zyrtarët federalë thuajse nuk kanë reaguar lidhur me disa nisma mbi ligjësimin e marijuanës, që u përfshinë në fletëvotime në zgjedhjet e 6 nëntorit. Për zbatimin e ligjeve të miratuara në Kolorado dhe Uashington do të duhet kohë, por legjislaturat e shteteve duhet të vendosin rregullat e shitjes, shpërndarjes dhe taksimit. Ish zyrtarë federalë të sektorit të drogave thonë se nismat, që u miratuan në zgjedhjet e fundit, të cilat bien ndesh me ligjin federal, nuk do të kenë jetë të gjatë.

Një moment historik për mbështetësit e ligjësimit të marijuanës në Shtetet e Bashkuara: Shtetet Kolorado dhe Uashington votuan për të lejuar shitjen dhe përdorimin e marijuanës nga të rriturit për përdorim personal. Por këto ligje i vënë dy shtetet në përplasje me ligjin federal të drogave. Morgan Fox është drejtor i komunikacionit në Projektin mbi Politikën e Marijuanës.

“Qytetarët e Kolorados dhe të Uashingtoni kanë vendosur ta zgjidhin këtë çështje brënda shtetit të tyre, por ata janë dëshmitarë të faktit se kjo nuk funksionon”.

Kritikët e ndalimit të marijuanës thonë se ligjet nuk i ndalojnë njerëzit ta përdorin drogën, por një gjë e tillë shoqërohet me një kosto të madhe për komunitetet për shkak të shpenzimeve të mëdha ligjore dhe dënimeve me burg. Sipas statistikave të FBI-së, 750 mijë njerëz arrestohen çdo vit për zotërim të marijuanës, dhe kostoja e procedurave shkon në më shumë se 40 miliardë dollarë.

Jasmine Tyler, drejtore e çështjeve kombëtare në Aleancën e Politikave mbi Drogat, e krahason ndalimin e marijuanës me ligjet, që ndalonin përdorimin e alkooholit në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920-të.

“Kemi të bëjmë me të njëtën gjendje frike kur u shfuqizua ndalimi i përdorimit të alkooholit. Njerzit e dinin se ndalimi i alkooholit shkaktonte më shumë dëm dhe nuk ishte aspak i efektshëm”.

Një ditë pas zgjedhjeve, Departamenti i Drejtësisë tha se do të rishikonte nismat e miratuara, por nuk komentoi se si do të përgjigjet, megjithatë deklarata vinte në dukje se zbatimi i ligjeve federale mbi drogat nuk ka ndryshuar.

Ekspertët thonë se zbatimi i ligjeve federale mund të jetë diçka politikisht e pavolitshme për administratën Obama. Më shumë qytetarë të Kolorados votuan për këtë nismë se sa për presidentin. Madje anketat e opinionit në gjithë vendin tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin ligjësimin e marijuanës.

“Anketat e opinionit tregojnë se mbështetja për ligjësimin e marijuanës është më e lartë se kurrë më parë dhe ka qënë në rritje gjatë 10 vjetëve të fundit. Këto shifra nuk mund të injorohen më”.

Ish zyrtarë të sektorit për kontrollin e drogave kanë thënë se fitorja në qendrat e votimit më 6 nëntor nuk do të ketë jetë të gjatë. Ata parashikojnë se administrata Obama ose do të ndalojë zbatimin e nismave menjëherë ose do t’u bëjë sfidë ligjeve në gjykata.


XS
SM
MD
LG