Lidhje

Marijuana mjekësore në Uashington


Shumë vetë e konsiderojnë marijuanën mjekësore një nga çështjet më të debatueshme të kujdesit shëndetësor. Njëzet shtete amerikane dhe Distrikti i Kolumbias, pra Uashingtoni, e kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për të ndihmuar në zbutjen e efekteve anësore të një numri sëmundjesh dhe medikamentesh. Por ligji federal ende e cilëson atë si një substancë pa vlerë mjekësore dhe që krijon varësi po aq sa heroina.

Ky është Adam Bartley. Ai po shkon të marrë ilaçin e tij. Pasi ishte detyruar prej vitesh ishte ta blinte në tregun e zi, tani ai mund ta sigurojë atë në mënyrë të sigurt dhe ligjërisht.

"Kur unë ose ndonjë nga pacientët e tjerë telefonojmë për të lënë takim, personat e sigurisë më përshëndesin tek hyrja dhe më kontrollojnë dokumentin identifikues. Si atë të zakonshëm ashtu dhe atë të lëshuar nga Departamenti i Shëndetësisë për marijuanën mjekësore."

Jeff Kahn është pronar i kësaj punishteje barnash, e cila sapo u hap, pas tre vitesh konkurrencë për një prej katër liçensave të dhëna në qytet. Deri tani nuk ka patur shumë punë, por zoti Kahn nuk është dekurajuar. Për të, ky është një mision.

"Ne duam që njerëzit ta dinë se çfarë po marrin, të jenë në gjendje të bëjnë një zgjedhje të matur, të jenë në gjendje të zgjedhin ilaçin e duhur për ta dhe ta përdorin atë në mënyrë të sigurtë."

"Kam 23 vjet që jam infektuar me virusin HIV dhe kam jetuar me SIDA për shumë prej këtyre viteve. Kam marrë një sasi të madhe ilaçesh. Shumë prej tyre shkaktojë siklet në stomak, mungesë oreksi dhe të përzier."

Ndërsa marijuana mjekësore është e ligjshme këtu në Uashington, ajo është ende e paligjshme sipas ligjit federal, kështu që qyteti është shumë i kujdesshëm.

"Çdo pjesë e programit të marijuanës mjekësore vëzhgohet me kamera dhe çdo gjë është e kyçur dhe e regjistruar plotësisht nga fara tek shitja."

Për klientët e mundshëm, marrja e dokumentit të posaçëm nuk është e lehtë.

"Duhet të kontaktosh Departamentin e Shëndetësisë vetëm me anë të e-mailit. Duhet të shkarkosh në kompjuter, të shtypësh dhe të plotësosh një formular aplikimi të gjatë dhe të paraqesësh dokumentacionin e nevojshëm dhe një foto pasaporte. Ka një tarifë aplikimi 100 dollarë."

Por para se të shkohet tek kjo procedurë, për t’u pranuar, aplikuesi duhet të ketë kancer, virusin HIV, SIDA, glaukoma ose spazma të forta të muskujve. Një mjek duhet gjithashtu të plotësojë një formular tjetër të gjatë për rekomandimin. Sakiliba Mines është një nga mjekët e pakët në qytet që japin këto rekomandime. Por ajo thotë se është e kujdesshme.

"Nuk mund të bëjmë të njëjtën gjë si në shtetet e tjera ku mjekët veç shkruajnë rekomandime dhe nuk e shohin pacientin gjatë gjithë vitit. Nuk mendoj se kjo është mjekësi e mirë."

Dr. Robert DuPont ka këshilluar disa administrata mbi çështjen. Ai thotë se do të ishte më mirë nëse një person e merr marijuanën të përfshirë në ilaçe sesa duke e pirë si duhan. Por ai është i kënaqur me mënyrën se kryeqyteti po aplikon programin e tij.

"Mendoj se një program i kufizuar që vërteton që njerëzit janë vërtetë të sëmurë dhe që kanë provuar trajtime të tjera, duke u dhënë një sasi të arsyeshme marijuane të cilën ata të mos e shesin apo t’ua japin njerëzve të tjerë është një zgjidhje shumë e mirë."

Tani për tani, vetëm 28 pacientë janë pranuar në programin e Uashingtonit për marijuanën mjekësore dhe ky numër nuk është ende i mjaftueshëm për të mbështetur sistemin.

Doza e sotme për Adamin, 10,5 gramë, kushton rreth 200 dollarë. Dhe asnjë pjesë e saj nuk mbulohet nga sigurimi shëndetësor. Por ai është i lumtur që mbështet ekonominë lokale dhe që mund ta sigurojë marijuanën e tij në rrugë ligjore.
XS
SM
MD
LG