Lidhje

Skafistët italianë në brigjet shqiptare për të tërhequr marijuanën


Marijuana shqiptare nuk po transportohet përmes hapësirës detare të Shqipërisë me Italinë vetëm nga skafistët shqiptarë, por edhe ata italianë. Operacionet e fundit të policisë italiane ndaj narko-trafikut po dëshmojnë veprimin e skafistëve nga rajonet e Puglias, Barit dhe Leçes në transportimin e sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria.

Policia e Barit tha të martën se arrestoi në mesnatë një skafist 64 vjeçar italian të njohur edhe më parë për aktivitetin e tij me trafikun e drogës dhe të dënuar disa herë nga gjykatat italiane. Policia tha se bllokoi 7 kuintalë marijuanë që në vlerën e tregut italian përllogaritej në mbi 5 milionë euro.

Droga sipas policisë italiane vinte nga Shqipëria dhe skafisti kishte arritur ta zbarkonte në breg duke e magazinuar në një shtëpi të braktisur.

Sipas burimeve zyrtare italiane në operacion u përdorën edhe helikopterët ndërkohë që nga toka forcat policore e ndoqën skafistin me kamera termike që lejojnë shikimin gjatë natës, duke arritur ta arrestojnë.

Edhe në Greqi policia njoftoi raste të reja të transportimit të narkotikëve nga Shqipëria. Rreth 50 kilogramë marijuanë u bllokuan në një mjet në afërsi të kufirit shqiptar nga policia e Janinës, ndërsa dy persona u arrestuan.

XS
SM
MD
LG