Lidhje

Tiranë: Prokuroria do të apelojë lirimin e Arben Frrokut


Prokuroria shqiptare bëri sot të ditur se do të paditë sa më parë në gjykatën e Apelit vendimin e djeshëm të gjykatës së krimeve të rënda që shpalli të pafajshëm të pandehurin Arben Frroku si vrasës të një drejtuesi policie që po hetonte krimet e tij në Belgjikë.

Një zëdhënës i prokurorisë deklaroi sot për Zërin e Amerikës se brenda afatit ligjor prej 10 ditësh Prokuroria do ta paditë vendimin e pafajsisë, sepse është plotësisht e bindur që Arben Frroku është autor i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamajt, i cili po hetonte krimet e vëllezërve Frroku në Belgjikë.

Zëdhënësi deklaroi po ashtu se vëllai tjetër i tij, Mark Frroku, ende anëtar i parlamentit, u mbajt nga gjykata në arrest me burg, sepse akuzohet nga drejtësia belge si pjesëmarrës në një vrasje atje vite më parë. Ai sqaroi se Shqipëria dhe Belgjika nuk kanë marrëveshje ekstradimi, por tashmë një mori dokumentash gjyqësore shtesë pritet të mbërrijnë nga Brukseli për të zbuluar aktet kriminale të Mark Frrokut. Për këtë arsye, sipas të gjitha gjasave, procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Mark Frroku për vrasjen e një të riu shqiptar në Belgjikë mund të zhvillohet në Shqipëri.

Lirimi si i pafajshëm i Arben Frrokut pas akuzave për vrasjen e kryekomisarit Lamaj kanë tronditur opinionin publik. Mediat vendase po e mbajnë si lajm kryesor bashkë me dyshimet për korrupsion dhe presione ndaj drejtësisë, ndërsa ngjarja zuri vend kryesor edhe në fjalimet e opozitës. Gjatë një fjalimi në Vlorë, kryetari i PD, Lulzim Basha, shprehu dyshime se koalicioni qeveritar këmbeu heshtjen e Mark Frrokut për Çështjen Doshi me lirimin e vëllait tjetër Arben Frroku.

Qeveria nga ana e saj tha se integritetin e drejtësisë shqiptare e kanë shkatërruar emërimet partiake dhe korrupsioni nëpër gjykata. Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri deklaroi në mesditë se mungesa e besimit të opinionit qytetar tek drejtësisa është më e dukshme se kurrë. E vetmja rrugë sipas tij, është reforma e drejtësisë dhe dekriminalizimi i institucioneve të saj.

Sipas organeve të drejtësisë ndaj deputetit Mark Frroku, krahas akuzave për një vrasje në Belgjikë, rëndojnë edhe akuzat e tjera për fshehje të pasurisë, që ka ardhur nga shfrytëzimi prostitucionit, trafikim i lëndëve narkotike, si dhe akuza për dëshmi të rreme në cështjen Doshi. Hetuesit kanë nisur tashmë edhe verifikimin e pasurive reale të familjes Frroku, nëse janë në përputhje me deklaratën e tij të pasurisë kur u bë deputet.

XS
SM
MD
LG