Lidhje

Policia arrestoi deputetin e shumicës, Mark Frroku


Policia në Tiranë arrestoi sot deputetin Mark Frroku një orë pasi parlamenti miratoi kërkesën e prokurorisë. Edhe pse ishte në arrest shtëpie për një akuzë tjetër, forcat e rendit e prangosën deputetin Frroku dhe e përcollën në drejtorinë e policisë së kryeqytetit.

Organi i akuzës i kërkoi leje parlamentit për herë të dytë brenda javës për të arrestuar deputetin Frroku së pari për dëshmi të rreme dhe sot për akuzat drejtësisë belge për një vrasje atje vite më parë. Në çastin e arrestimit, policia i bashkangjiti letrave të mëparshme edhe një padi të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Autorizimi i prokurorisë mori në parlament 113 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime. Pozita dhe opozita votuan njëlloj për rastin, duke dëshmuar vullnetin për te dekriminalizuar parlamentin. Përfaqësues nga opozita dhe shumica pohuan se thjesht ata po i hapnin rrugën drejtësisë që të ndriçojë të vërtetën, pa hyrë në detaje rreth ngjarjes.

Pasi mori leje të hynte në seancën e parlamentit, deputeti Frroku deklaroi para ligjvënësve se nuk ka kryer asnjë krim në jetën e tij. Ai tha se kishte alibi të plotë, se në kohën e asaj vrasje gjendej në Shqipëri dhe se ndaj tij nuk kishte asnjë vendim gjyqësor asnjë gjykatë në Shqipëri, Belgjikë apo asnjë shtet tjetër.

Deputeti Mark Frroku u përmend nga mediat belge fillimisht si i dyshuar për një vrasje, që lidhej me prostitucionin, ku doli se ai përdori disa identitete si shtetas i Kosovës. Drejtësia belge i kërkoi policisë shqiptare të kryente verifikime për të, por kaluan muaj dhe kërkesat nga Brukseli nuk morën përgjigje nga Tirana.

Akuza e parë ndaj tij për dëshmi të rreme në procesin e deputetit Tom Doshi ishte më e thjeshtë se sa akuzat që pasuan menjëherë për vrasje në Belgjikë dhe për pastrim parash. Nga arresti në banesë ai tani do të nisë sërish takimet me gjyqtarët për një masë tjetër arresti, duke lënë mënjanë angazhimet e politikës, për t'u sqaruar organeve të drejtësisë angazhimet e emigrimit.

XS
SM
MD
LG