Lidhje

Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë në post të lartë politik


Të dielën që kaloi, në Bronks të Nju Jorkut u bë ceremonia e betimit të shqiptaro-amerikanit Mark Gjonaj, i cili në muajin nëntor u zgjodh anëtar i asamblesë së shtetit Nju Jork. Biznesmeni Mark Gjonaj është shqiptari i parë që zgjidhet në një post politik të këtij niveli në Shtetet e Bashkuara.

Kur Mark Gjonaj bashkë me familjen hyri në sallën e ceremonisë të mbushur plot me njerëz, duartrokitjet nuk përmbaheshin. Ishin brohoritje për një ëndërr amerikane të bërë realitet.



Mark Gjonaj është lindur në Bronks dhe ka jetuar këtu gjithë jetën, por familja e tij ka ardhur në Amerikë nga Ulqini.

Pas një beteje të vështirë zgjedhore, së cilës zoti Gjonaj i hynte për herë të parë, ai mundi të zgjidhet në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut me 150 anëtarë. Mark Gjonaj përfaqëson në asamble distriktin 80, ku jeton një numër i madh shqiptarësh. Ai i kupton ëndrrat e imigrantëve dhe shpresat e tyre.

“Ata duhet ta dinë se unë do të zgjohem çdo mëngjes me ta në mendje dhe do të shkoj të fle me mendimin se u kam shërbyer mirë. Kjo është mënyra se si do të përfitojnë ata,” thotë zoti Gjonaj.

Biznese të vogla këtu në Bronks, si kjo piceri e menaxhuar nga Zef Vorfi, shpresojnë të përfitojnë.

“Ka rëndësi, për mendimin tim, që, e para është shqiptar, di traditat tona, dhe ne do ta kemi të lehtë të shkojmë të ankohemi te dikush. Besoj se ai do të mund të ndihmojë njerëzit e zgjuar dhe me shkollë”, thotë pronari i restorantit, i cili ka ardhur këtu nga Mirdita.

“Është mirë sepse është hera e parë që një shqiptar arrin të futet në politikë këtu në Amerikë. Na vlerëson neve si komb prandaj jemi shumë të gëzuar që Mark Gjonaj arrin këtë.”

James Vacca anëtar i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut, mendon se Mark Gjonaj nuk është me rëndësi vetëm për shqiptarët si komunitet:

“Fitorja e tij flet jo vetëm për rritjen e komunitetit shqiptar si numër, por edhe për faktin se si shqiptar, Marku u ka shtrirë dorën edhe pjesëve të tjera të komunitetit: hispanikëve, afrikano-amerikanëve, italo-amerikanëve. Për ta ai është bërë simbol i pavarësisë politike. Prandaj fitorja e tij është një pikënisje e mirë për lajme të mira në të ardhmen,” thotë zoti Vacca.

Amerikanët i marrin seriozisht ceremoni të tilla ku komuniteti nderon njeriun që do t’a përfaqësojë në kryeqytetin e shtetit Nju Jork, Albany. Këtu kanë ardhur thuajse të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të Bronksit, në të gjitha nivelet. Fjalimet e tyre janë të gjata.

Megjithatë, ato ndiqen me shumë vemendje nga njerëzit që mbushin sallën, mes të cilëve një pjesë e mirë janë shqiptarë. Njerëzit kanë sakrifikuar pasditen e së dielës për të shprehur edhe një herë mbështetjen ndaj njeriut të tyre, Mark Gjonaj.

Nga Uashingtoni kanë ardhur ambasadori i Shqipërisë, Gilbert Galanxhi dhe ambasadori i Kosovës, Akan Ismaili. Ata kanë sjellë për Mark Gjonajn mesazhe urimi nga qeveritë e tyre.

Eliot Engel është ligjvënës nga Nju Jorku në Kongresin amerikan. Distrikti që ai përfaqëson, përfshin pjesë të Bronksit. Ai tha:

“Kur zgjidhni dikë në një post politik, ju duhet një njeri inteligjent. Marku është inteligjent. Ju duhet një njeri që i njeh mirë njerëzit dhe bashkëpunon mirë me ta. Marku është i tillë. Ju duhet një njeri që nuk ia përton punës. Marku është nga ata që punojnë shumë.”

Charles Schumer, njëri ndër dy senatorët me të cilët përfaqësohet shteti i Nju Jorkut në Kongresin amerikan, ka njohje personale me zotin Gjonaj.

“Kemi zgjedhur njërin ndër më të mirë që kemi, Mark Gjonajn. Zonja dhe zotërinj, nëse Banjamin Franklini do të shihte nga lart këtë auditor sot pasdite, ai do të buzëqeshte. Kjo është pikërisht demokracia që ai dëshironte,” tha senatori i njohur.

Kulmi i ceremonive arriti kur Mark Gjonaj, në prani të familjes bëri betimin.
Hajdar Bajraktari, biznesmen në Bronks, mik i hershëm me Mark Gjonajn, ka shpresë se ky shembull do të pasohet me të tjerë në komunitetin shqiptar.

“Ka shumë shpresa që njerëzit tanë do të jenë në qeverinë amerikane, edhe në qeverinë lokale edhe në atë federale. Një ditë do të kemi një kongresmen, një senator dhe një president.”

Mark Gjonaj do të shkëputet tani nga punët e biznesit privat, i cili gjithsesi do të mbetet brenda familjes. Tani e presin detyra të mëdha:

“Do të përpiqem për gjëra të tilla, si të sjell vende pune të paguara mirë në këtë komunitet, do të përqendrohem te shkollat dhe tek edukimi, që janë aq të nevojshëm, do të kujdesem për programet e të moshuarve, pra gjithçka i nevojitet ekzistencës së komunitetit.”
XS
SM
MD
LG