Lidhje

Marrëdhëniet e Kinës me BE-në


Presidenti i Kinës, Xi Jinping është duke përfunduar një turne njëjavor në Evropë që synon nxitjen e lidhjeve më të mira ekonomike me partnerin e saj kryesor tregtar. Vëzhguesit thonë se shqetësimet mbi të drejtat e njeriut në Kinë vazhdojnë të pengojnë marrëdhëniet, por Evropa po kërkon gjithashtu mbështetjen diplomatike të Kinës në mosmarrëveshjet e saj me Rusinë lidhur me Ukrainën.

Diplomacia Panda – mënyra tradicionale kineze për të lidhur marrëdhënie të mira.

Një kopsht zoologjik në Belgjikë mori arinj me qera përpara vizitës së presidentit Xi Jinping – e para nga një president kinez në katër dekada të marrëdhënieve mes Pekinit dhe Bashkimit Evropian.

Tregëtia ishte në krye të axhendës. Asnjëra palë nuk foli pas takimit të nivelit të lartë të hënën – por të dyja palët kërkojnë të thellojnë lidhjet e tyre ekonomike, thotë Jonathan Fenby, ish redaktor për gazetën “South China Morning Post” dhe autor i librit “A do të Dominojë Kina në Shekullin e 21”?

“Kina ka kohë që kërkon të forcojë marrëdhëniet e saj me BE-në si një barazpeshë ndaj fuqisë së Shteteve të Bashkuara.”

Presidenti Xi u kërkoi udhëheqësve të BE-së të shqyrtojnë një marrëveshje të tregëtisë së lire me Kinën. Por Evropa ka shprehur shqetësime se firmat kineze nuk zbatojnë rregullat ndërkombëtare të tregëtisë. Vitin e kaluar një mosmarrëveshje mbi çmimin e paneleve diellore çoi në vendosjen e tarifave të importit nga BE-ja; Kina u përgjigj me kufizime në importin e verës evropiane.

Ky fërkim ka sjellë ndarje në Evropë, thotë Jonathan Fenby.

“Kina në përgjithësi preferon marrëdhëniet bilaterale sesa marrëdhënie të zgjeruara që mund të zvogëlojnë lirinë e saj të veprimit. Në Evropë nga ana tjetër, ka patur ndarje për një kohë të gjatë mes anëtarëve të Bashkimit Evropian në se marrëdhëniet me Kinën duhet të jenë thjesht tregëtare, apo nëse duhet të ndërthuret politika apo çështja e të drejtave të njeriut.”

Grupe aktivistësh u përpoqën të detyronin futjen në rendin e ditës së çështjes së të drejtave të njeriut – duke akuzuar Kinën për shkelje të të drejtave të tibetianëve dhe komunitetit ujgur.

"Ne duam që presidenti Xi Jinping të fillojë menjëherë një dialog me udhëheqësin shpirtëror Dalai Lama, dhe të lirojë menjëherë të burgosurit politikë.”

Aneksimi i Krimesë nga Moska ka dëmtuar marrëdhëniet e BE-së me Rusinë. Kina abstenoi në votimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për rezolutën që pohonte integritetin territorial të Ukrainës.

Duke folur në Berlin të premten, Presidenti Xi nuk i dënoi e as i mbështeti veprimet e Rusisë.

“Qeveria kineze pranon parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare për të mos u përfshirë në punët e brendshme të një vendi sovran dhe integritetin e të gjitha vendeve.”

Rrëzimi nga pushteti i ish presidenti ukrainas Viktor Yanukovich që çoi në ndarjen e Krimesë, e vë Kinën në një pozitë të vështirë, thotë Jonathan Fenby.

“Kina duket qartë se nuk mund të pritet të jetë simpatizante e një regjimi të ri në Kiev që ka ardhur në pushtet përmes revoltës dhe demonstrative kundër një regjimi autoritar.”

Fenby thotë se Kina është gjithashtu e shqetësuar me Rusinë nga frika se mund të provokojë Uashingtonin për të ndryshuar më tej bilancin e tij ushtarake drejt Azisë.
XS
SM
MD
LG