Lidhje

Marrëveshja e gazit Rusi-Kinë


Pekini dhe Moska kanë nënshkruar një marrëveshje 30-vjeçare për gazin natyror me vlerë disa miliarda dollarë në Shanghai. Kjo shihet si pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të dyfishuar tregtinë vjetore mes dy vendeve brenda vitit 2020 dhe për të rritur bashkëpunimin, që nga teknologjia e hapësirës tek infrastruktura

Konferenca mbi sigurinë në Azi e organizuar nga Kina ishte e mbushur me momente fotografimi në grup. Ishte një mundësi për Pekinin për të theksuar rolin e tij në rritje në arenën ndërkombëtare si dhe pikëpamjet e tij mbi sigurinë dhe mbi mosmarrveshjet territoriale.

Por konferenca në përgjithësi u la në hije nga bisedimet midis presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Gjatë takimeve mes tyre, presidenti Xi u zotua për të rritur tregtinë.

"Jemi të vendosur që tregtia mes vendeve tona të arrijë 100 miliardë dollarë deri në vitin 2015," tha presidenti kinez.

Por rritja e lidhjeve në energji dhe tregti nuk janë mënyrat e vetme me anë të të cilave dy vendet po kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin.

"Një nga çështjet e rëndësishme është bashkëpunimi ushtarak midis ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve. Ky bashkëpunim ka rëndësi të madhe në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe gjithashtu të botës," tha zoti Putin.

Kina dhe Rusia zhvilluan një stërvitje të përbashkët detare këtë javë ndërsa udhëheqësit që përfaqësonin më shumë se 40 vende dhe organizata morën pjesë në Konferencën për Ndërveprim dhe Krijim të Masave të Besueshmërisë në Azi .
Rusia është gjithnjë e më e izoluar për shkak të situatës në Ukrainë dhe analisti William Choong thotë se kjo është arsyeja pse zoti Putin ndodhet në Kinë duke nënshkruar marrëveshje.

"Por duhet të kuptojmë gjithashtu se ky është një lloj partneriteti jo i lehtë. Mund të jetë një partneritet strategjik mes Rusisë dhe Kinës, por është delikat sepse në thelb është një marrëdhënie interesi."

Ndërsa ka shqetësime në lidhje me atë që lidhjet më të ngushta midis Pekinit dhe Moskës mund të sjellin për rajonin, zoti Choong thotë se afrimi i Rusisë ndaj Kinës është pjesë e ribalancimit drejt Azisë që synon dhe ajo.

"Çdo fuqi e madhe po përqëndrohet më tepër në Azi Paqësor. Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Kina që po e bëjnë këtë, por edhe Rusia. Pra duhet ti shohim marrëdhëniet Rusi-Kinë nga një perspektivë më e gjerë," thotë analisti.

Kina është partneri më i madh tregar i Rusisë në Azi dhe dy vendet shpresojnë ta rrisin volumin e tregtisë mes tyre në 200 miliardë dollarë në vit, brenda vitit 2020.
XS
SM
MD
LG