Lidhje

Marrëdhëniet amerikano-pakistaneze gjatë vitit 2011

  • Ajaz Gul

Marrëdhëniet amerikano-pakistaneze gjatë vitit 2011

Marrëdhëniet amerikano-pakistaneze gjatë vitit 2011

Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ruajtur një partneritet të rëndësishëm strategjik për 10 vjetët e fundit, megjithë marrëdhëniet e tensionuara lidhur me luftën në Afganistan dhe dyshimet që kanë shprehur Shtetet e Bashkuara për lidhje mes Islamabadit dhe grupeve ekstremiste. Vështirësitë në marrëdhëniet mes këtyre aleatëve spikatën më së shumti gjatë vitit 2011:

Keqësimi në këto marrëdhënie që kanë qenë prej kohësh delikate, filloi në janar, kur policia në Lahore arrestoi Raymond Davis, një kontraktor civil që punonte për CIA-n, për vrasjen e dy pakistanezëve.

Zoti Davis tha se vrasja ishte kryer si akt vetëmbrojtjeje dhe më në fund arriti të sigurojë lirimin. Por incidenti u pasua me kritika publike kundër qeverisë pakistaneze lidhur me qëndrimin e saj ndaj kontraktorëve të CIA-s.

Para se të kapërcehej plotësisht ky incident, forcat speciale amerikane ndërmorën një operacion të pavarur për të asgjësuar kreun e al-Kaidës Osama bin Laden në Abotabad, një qytet pakistanez ku ndodhet një bazë ushtarake.

Pas operacionit të muajit maj, marrëdhëniet arritën një tjetër pikë të ulët. Udhëheqës pakistanezë shprehën revoltim, duke e cilësuar operacionin si sulm ndaj sovranitetit të vendit.

“Faktikisht, forcave të armatosura pakistaneze nuk u ishte marrë mendim, pra nuk kishin dijeni”.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur pyetje se si personi më i kërkuar në botë ishte në gjendje të shpëtonte i padiktuar për vite me radhë, pranë një baze ushtarake pakistaneze.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton vizitoi Islamabadin disa ditë pas operacionit në Abotabad, duke theksuar se rruga përpara për të dyja vendet ishte përmes përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit:

“Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani kanë punuar së bashku për të vrarë e kapur shumë terroristë këtu në tokën pakistaneze. Kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunim të ngushtë mes qeverive, ushtrive dhe agjencive tona të zbulimit. Por të dyja vendet e kanë të qartë se ka ende shumë punë përpara”.

Ushtria e fuqishme pakistaneze u vu nën presion të madh në vend, si për faktin që nuk kishte diktuar praninë e udhëheqësit të al-Kaidës, ashtu edhe për operacionin amerikan që e asgjësoi.

Ushtria pakistaneze reagoi, duke urdhëruar largimin e specialistëve ushtarakë amerikanë dhe duke shtrënguar kufizimet për viza. Zyrtarët amerikanë u përgjigjën duke kushtëzuar miliarda dollarë ndihma financiare me përmirësimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.

Në fund të nëntorit, marrëdhëniet u keqësuan nga një tjetër goditje, kur sulme ajrore të NATO-s në pika kufitare në Pakistan lanë të vrarë 24 ushtarë. Pakistani mbylli kufijtë, duke penguar kalimin e furnizimeve për forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Pakistan, dëboi personelin amerikan nga një bazë ajrore që përdorej për sulme ajrore të telekomanduara dhe bojkotoi një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në Gjermani për të diskutuar të ardhmen e Afganistanit.

Ministrja e Jashtme Hina Rabani Khar thotë se parlamenti po rishikon tani bashkëpunimin e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara:

“Mendoj se një ndër arsyet kryesore përse ky vit ka qenë kaq i keq, është pasi ka pasur shumë aspekte të paqarta në këtë marrëdhënie”.

Cameron Munter është ambasadori amerikan në Pakistan:

“Jam dakord me zonjën Hina Rabani Khar, se ky vit ka qenë shumë i vështirë. Mënyra më e mirë për të vepruar në përgjigje të vështirësive është të tregohemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të kemi komunikim më të madh për të diskutuar problemet, në mënyrë që viti 2012 të jetë më i mirë”.

Pavarësisht nga situata e tensionuar politike gjatë vitit 2011, programet arsimore dhe kulturore kanë vazhduar, në përpjekje për të kapërcyer tensionet me kontakte direkte. Por mbetet për t’u parë nëse kjo lloj diplomacie do të jetë në gjendje të mbyllë hendekun në një marrëdhënie të trashëguar nga viti 2011.


XS
SM
MD
LG