Lidhje

Marrëdhëniet amerikano-ruse në këndvështrimin e ambasadorit McFaul


Marrëdhëniet amerikano-ruse në këndvështrimin e ambasadorit McFaul

TEASER: Michael McFaul është ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi

INTRO: Ambasadori i ri amerikan në Rusi, Michael McFaul, ka qenë prej kohësh mbështetës i idesë së bashkëpunimit mes Moskës dhe Uashingtonit. Por kur arriti në Moskë dy muaj më parë, u ballafaqua menjëherë me një ndjenjë të fortë anti-amerikane. Kryeministri Vladimir Putin po zhvillonte fushatë për president dhe përkrahësit e tij e akuzonin ambasadorin e ri si përkrahës të protestave kundër Putinit. Më 4 mars, zoti Putin siguroi fitoren në zgjedhje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke zhvilloi një bisedë me ambasadorin e ri amerikan lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-ruse:

Në ndërtesën Spaso, rezidencë e ambasadorëve amerikanë që nga viti 1933, ambasadori i ri Michael McFaul thotë se i duket se është kthyer në Luftën e Ftohtë:

“Mbeta i habitur që kishte kaq shumë anti-amerikanizëm, pasi menduam se po ndërtonim një tjetër marrëdhënie. Ka plot njerëz që ndjehen nervozë sepse, së paku nga pikëpamja e retorikës, mund të kthehemi shumë shpejt në një epokë që menduam se e kishim lënë pas”.

Para se të largohej nga Uashingtoni, zoti McFaul u takua me nënpresidentin Joe Biden. Udhëzimet që i dha ai:

“Përmbaju parimeve të tua, McFaul. Nënpresidentit i pëlqen të më thërrasë me mbiemër. Më tha t’u përmbahem parimeve. Shtetet e Bashkuara po ndjekin politikën e tyre të angazhimit si me qeverinë ashtu edhe me shoqërinë në Rusi”.

Ndërkohë që Uashingtoni nuk ka ndryshuar kursin, si ka ndryshuar retorika ruse pas zgjedhjeve?

“Ne nuk na intereson të kthehemi në një situatë të ngjashme me Luftën e Ftohtë me retorika të ashpra. Nuk mendojmë se kjo do t’u shërbente interesave amerikane. Për sa i përket qeverisë ruse, zyrtarë të lartë rusë kanë sinjalizuar si në bisedat me mua, ashtu edhe me të tjerë se kërkojnë vazhdimësi. Në javët dhe muajt që vijnë do të shohim nëse është e mundur t’i kthehemi punës në shërbim të interesave të ndërsjellta”.

Javën e kaluar në Moskë, presidenti rus Dmitri Medvedev sulmoi përsëri planet amerikane për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore në përgjigje të kërcënimeve nga Irani.

“Është e vërtetë që sistemi i mbrojtjes nga raketat është temë fërkimesh. Duhet të bëjmë më shumë punë që t’i ndihmojmë zyrtarët rusë të kuptojnë se çfarë kapaciteti ka ky sistem. Duhet të theksoj se pika më acaruese është raketa SM3 Block 2B, që ende nuk ekziston. Kjo raketë është ende në fazën e projektimit. Pra nuk besoj se kemi konflikte themelore mes interesave kombëtare ruse e amerikane”.

Tani Presidentit Obama duhet të ndërtojë marrëdhënie me presidentin e ardhshëm Vladimir Putin, që shpesh ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të Uashingtonit. Presidenti Obama e përgëzoi zotin Putin për fitoren, pesë ditë pas zgjedhjes:

“Presidenti Obama e ka shprehur shumë qartë politikën e tij ndaj Rusisë. Ai ka punuar në këtë drejtim prej 3 vjetësh dhe nuk ka arsye për ta ndryshuar. Mirëpresim bashkëpunim me zotin Putin lidhur me të njëjtat tema që kanë qenë përparësi gjatë këtyre 3 vjetëve”.

Gjatë fushatës presidenciale, kryeministri Putin akuzonte se Uashingtoni po mbështeste demonstratat pro-demokraci në Moskë. Ambasadori McFaul thotë se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë organizata joqeveritare dhe apolitike në Rusi. Synimi i këtij angazhimi, thotë ambasadori, është të mbështesë shoqërinë civile në Rusi. Ndërkohë që u mbyll fushata zgjedhore në Rusi, këtu në Shtetet e Bashkuara po ndizet fushata presidenciale. Zgjedhja e një presidenti të ri amerikan mund të krijojë një inerci të re në marrëdhëniet amerikano-ruse.

XS
SM
MD
LG