Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt

  • Meridith Bjull

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt

Marrëdhëniet SHBA-Egjipt

Sundimtarët ushtarakë në Egjipt kanë rënë dakord të formojnë një qeveri të re dhe kanë premtuar ta transferojnë pushtetin tek një organ civil deri në korrik. Por dhjetra mijëra protestues kërkojnë largimin e menjëhershëm të regjimit ushtarak. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Meredith Buel analizon sesi kaosi dhe pasiguria në Egjipt mund të ndikojnë mbi politikën e jashtme amerikane dhe miliarda dollarët e ndihmave që Amerika jep për aleatin e saj të rëndësishëm.

Turma të mëdha protestuesish në sheshin Tahrir të Kajros kërkojnë që regjimi ushtarak të japë dorëheqjen. Dhuna është shoqëruar me shqetësimet e zyrtarëve amerikanë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney:

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se këto ngjarje tragjike nuk duhet të pengojnë zgjedhjet dhe një tranzicion drejt demokracisë.”

Egjipti është në qendër të politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme dhe rëndësia strategjike e tij është e madhe, thotë profesori i Universitetit të Merilendit, Shibley Telhami.

“Egjipti është shteti arab më i populluar dhe më me ndikim. Ajo që ndodh aty do të ketë pasoja për interest e tjera amerikane, përfshi Gjirin Persik, mënyrën sesi shtetet e Gjirit do të sillen apo sesi do ta interpretojnë këtë lëvizje. Pra për të gjitha këto arsye, Egjipti ka shumë rëndësi për Shtetet e Bashkuara.”


Zoti Telhami thotë se përleshjet e vazhdueshme mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë mund të ndikojnë opinionin publik në Shtetet e Bashkuara.

“Në se marrëdhëniet tensionohen dhe ka një konflikt të vërtetë mes ushtrisë dhe publikut, do të ketë një mjedis të ndryshëm politik si në kongres ashtu edhe në opinionin publik.”

Presidenti Barak Obama i ka bërë thirrje këshillit ushtarak të Egjiptit t’i jap fund gjendjes së jashtëzakonshme dhe të ndalë gjykimet ushtarake të civilëve. Dhuna rrezikon miliarda dollarë ndihma amerikane për Egjiptin, thotë Steven Heydemann në Institutin Amerikan të Paqes.

“Duhet të kujtojmë Këshillin Suprem vazhdimisht se ata janë në një rol të përkohshëm dhe se nuk duhet të bëjnë asgjë që të rrezikojë konsolidimin e një sistemi politik përfshirës, tolerant dhe demokratik në Egjipt.”

Por ushtrimi i një presioni të madh mbi këshillin ushtarak mund të çojë në pasoja të padëshiruara që minojnë marrëdhëniet e Egjiptit me Izraelin thotë Tawfik Hamid, analist në Institutin Potomac.

“Në se i bën shumë presion ushtrisë tani mund të rezultojë në marrjen e Egjiptit nën kontroll nga islamistët.”

Demonstratat e fundit janë më të mëdhatë që nga protestat që detyruan dorëheqjen e presidentit President Hosni Mubarak në fillim të vitit.

XS
SM
MD
LG