Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut


Marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut
Marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut

Një numër i madh çështjesh të debatueshme do të jenë përballë presidentit kinez Hu Gjintao dhe Presidentit amerikan Barak Obama kur ata të takohen javën e ardhshme në Uashington. Një nga çështjet për të cilat mes të dy udhëheqësve ekziston një hendek i gjerë është ajo e të drejtave të njeriut.

Në shumë vende, aktivisti i çështjeve të ushqimit, Zhao Lianhai do të quhej thjesht një qytetar i shqetësuar. Në Kinë, ndaj tij u ngritën akuza për nxitje të trazirave publike dhe ai u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim.

Krimi i tij – organizimi i grupeve të mbështetjes për prindërit që u prekën nga një prej skandaleve më të mëdha në vend – një formulë ushqimi për foshnjet që shkaktoi vdekjen e 6 foshnjeve dhe sëmurjen e rreth 300 mijë të tjerave.

Por me rritjen e rëndësisë së Kinës në çështjet botërore, veprimtarët e të drejtave të njeriut thonë se është bërë e vështirë të tërheqësh vemendjen tek çështjet e këtyre të drejtave në Kinë.

Sofi Riçardson është drejtore për çështjet e Azisë në organizatën Human Rights Watch në Uashington.

"Dhjetë vjet më parë nuk ishte shumë e vështirë të bindje 25 anëtarë të Kongresit të nënshkruanin një letër për të kërkuar lirimin e një personi. Sot është shumë më e vështirë pasi anëtarët e Kongresit janë të shqetësuar se bizneset nga distrikti i tyre mund të mos jenë në gjendje të investojnë në Kinë. Po ashtu, qeveria kineze mund të mos pranojë të bashkëpunojë për sanksionet ndaj Iranit apo mbi Korenë e Veriut."

Veprimtarët thonë se në Perëndim ekziston perceptimi se zhvillimi ekonomik sjell përmirësime në liritë personale.

"Disa aspekte të jetës në Kinë natyrisht që janë më mirë se sa 10, 20, 30 vite më parë, por ende ekzistojnë kufizime që njerëzit nuk i kapërcejnë dot."

Veprimtari për Sidën, Wan Yanhai thotë se edhe mes zyrtarë kinezë ekziston një problem perceptimi.

Wan iku nga Kina me familjen vitin e kaluar.

"Megjithëse Liu Xiaobo është një disident politik, ai është i moderuar dhe zgjodhi rrugën e peticionit paqësor dhe të kalimit demokratik, por ai është miqësor edhe ndaj Partisë Komuniste të Kinës."

Liu Xiaobo është fitues i Çmimit Nobel të Paqes për këtë vit por nuk mundi të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së Çmimit në Norvegji. Ai po vuan dënimin me 11 vjet burg sepse me anë të një peticioni në internet bëri thirrje për ndryshime politike në vend.

Kina e quan zotin Liu shkelës të ligjit dhe akuzon Shtetet e Bashkuara si dhe vende të tjera se përzihen në punët e brendshme të Kinës.

Senatori amerikan Xhon Kerri thotë se Uashingtoni duhet t’i theksojë Kinës se veprime të tilla ia dëmtojnë asaj imazhin ndërkombëtar.

"Por, pavarësisht se neve na impresionon apo na zhgënjen përparimi i Kinës, fakt është se ne kemi nevojë për Kinën dhe Kina ka nevojë për ne. Neve na duhet ta ndërtojmë drejt këtë marrëdhënie.”

Sipas zyrtarëve amerikanë, Presidenti Obama do të diskutojë me zotin Hu mbi të drejtat e njeriut por veprimtarët thonë se nuk presin që Presidenti Hu të bëjë ndonjë njoftim të papritur.

XS
SM
MD
LG