Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Pakistan pas vrasjes së Osama bin Ladenit


Marrëdhëniet SHBA-Pakistan pas vrasjes së Osama bin Ladenit
Marrëdhëniet SHBA-Pakistan pas vrasjes së Osama bin Ladenit

Ushtria e Pakistanit mohoi njoftimet sipas të cilave njëri prej oficerëve të saj është arrestuar për ndihmën që u dha Shteteve të Bashkuara në gjetjen dhe vrasjen e udhëheqësit të al-Kaidës, Osama Bin Ladenit, duke i quajtur njoftimet "false dhe krejtësisht të pabaza".

Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Gjeneral-Majori, Athar Abbas hodhi poshtë njoftimin dje, i cili së pari u njoftua nga gazeta New York Times.

Kjo gazetë njoftoi se një gjeneral i ushtrisë pakistaneze ishte mes personave të arrestuar nga agjencia pakistaneze e spiunazhit. Sipas New York Times-it, 4 të tjerët kishin shërbyer si informatorë për Shtetet e Bashkuara. Fati i të arrestuarve nuk dihet.

Burime amerikane dhe pakistaneze thanë se Pakistani kishte arrestuar informatorë, që ndihmuan Shtetet e Bashkuara të gjenin bin Ladenin, pasojat më të fundit dëmtuese, që zemëruan pakistanezët po aq shumë sa kënaqën amerikanët.

Kjo grua e moshuar, Noor Bibi, e cila banon afër kompleksit, ku u vra bin Ladeni, thotë se burri dhe djali i saj u arrestuan nga agjentë të zbulimit pakistanez para 10 ditësh dhe nuk ka dëgjuar asgjë prej tyre.

Nuk është e qartë në se djali dhe bashkëshorti i Bibit ishin mes 5 personave, që njoftohet se janë arrestuar nga autoritetet pakistaneze.

Ndërkohë, po dje në Uashington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates u pyet nga një komision i Senatit.

"Për sa kohë mbështesin ne qeveri që na gënjejnë? Kur themi ne 'mjaft me kaq?' Sekretari Gates, po filloj me ju".

"Së pari do të thosha se, duke u bazuar në përvojën time 27 vjeçare në CIA dhe 4 vjet në Pentagon, shumica e qeverive e gënjejnë njera tjetrën. Kjo është mënyra se si bëhen gjërat".

"A i arrestojnë këto qeveri njerzit që na ndihmojnë ne kur thonë se janë aleatët tanë"?

"Ndonjëherë. Dhe disa herë ata dërgojnë njerëz të spiunojnë për ne edhe kur janë aleatët tanë të ngushtë".

"Dhe ne u japim atyre ndihma"?

"Kjo është bota reale me të cilën përballemi çdo ditë".

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u pyet dje rreth artikullit të New York Times-it.

"Nuk kam ndonjë informacion specifik rreth atij artikulli. Mund të them se marrëdhëniet tona me Pakistanin janë shumë të rëndësishme, madje edhe të komplikuara. Ne e kemi bërë të qartë këtë fakt dhe kemi qënë shumë të sinqertë për një kohë të gjatë".

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Islamabadit kanë qënë të tensionuara që prej vrasjes së bin Ladenit.

Disa anëtarë të Kongresit kanë kërcënuar të ndalojnë ndihmat prej gati 4 miliardë dollarësh në vit që Shtetet e Bashkuara i japin Pakistanit.

XS
SM
MD
LG