Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë hyrë në një fazë pozitive


Marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë hyrë në një fazë pozitive
Marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë hyrë në një fazë pozitive

Shumë ekspertë janë dakord se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Moskës janë më të mira tani se ç’kanë qenë për një kohë të gjatë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Neshnera foli me tre ish-zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane për marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Moskës.

Presidenti Barak Obama e ka vënë përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë në qendër të përparësive të politikës së jashtme. Menjëherë pasi bëri betimin para dy vjetësh, ai u zotua që të rigjallëronte marrëdhëniet me Moskën, të cilat ishin tensionuar gjatë viteve të fundit të administratës së Presidentit Bush. Shumë ekspertë thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë pa dyshim në një fazë më pozitive.

Gjenerali në pension i marinsave, Anthony Zinni shprehet më i përmbajtur duke thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të menaxhohen me kujdes.

“Rusia do të jetë një fuqi e madhe. Mendoj se rusët po rilindin në një farë mënyre. Ata po kërkojnë vendin e tyre në botë. Ata janë ende të acaruar nga humbja e ndikimit në Evropën Lindore dhe në pjesën jugore të kufijve të tyre gjë për të cilën na fajësojnë ne. Mendoj se është një marrëdhënie që kërkon shumë përpjekje”.

Nga ana e tij, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Brent Scowcroft thotë se Moska dhe Uashingtoni po fillojnë të punojnë së bashku.

“Do të jetë një proces i gjatë dhe i ngadaltë, sepse ka akoma shumë dyshime se ata nuk veprojnë ashtu siç duam ne. Dhe kanë një ndjenjë armiqësie ndaj nesh. Ne nuk mendojmë se pati të humbur në Luftën e Ftohtë, por ata pa dyshim që e mendojnë. Kështuqë ata ende vuajnë nga fakti që ne dolëm pa humbje prej saj, por e gjithë mënyra e tyre e jetesës u shkatërrua. Pra kemi ende shumë për të bërë por jemi në rrugë të mbarë”.

Ish-Sekretari i Shtetit Lawrence Eagleburger parashikon një rol më të madh për Rusinë në arenën ndërkombëtare.

“Rusët tani po përpiqen të bëhen më agresivë në skenën botërore. Dhe duhet kuptuar gjithashtu se Moska nuk është në një pozicion që të barazvlefshëm me atë që kishte ish-Bashkimi Sovjetik. Është shumë më e dobët, shumë me më pak ndikim në skenën botërore. Dhe një pjesë e asaj influence ndërkombëtare, një pozicion më i fortë ekonomik dhe politik në botë, janë ato që Rusia po përpiqet me forcë të realizojë. Kjo ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë mosmarrëveshje mes nesh”.

Ekspertët thonë se të dyja palët i kapërcyen mosmarrëveshjet kur ranë dakord vitin e kaluar për një traktat për pakësimin e armëve strategjike bërthamore.

Brent Scowcroft thotë se ratifikimi i traktatit në Senat ishte thelbësor për t’i dhënë një shtysë marrëdhënies mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Ishte kritike për rigjallërimin e marrëdhënieve sepse po ta kishin refuzuar traktatin do t’i kishim thënë jo një marrëdhënieje më të afërt me Rusinë. Tani ajo që realizon traktati është t’i hapet dera përparimit të mëtejshëm mes dy vendeve për kontrollin e armëve bërthamore nëse vendosim ta bëjmë një gjë të tillë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ende kanë në duar 95 për qind të armëve bërthamore të botës. Përparimi drejt synimit të mospërdorimit të armëve bërthamore është shumë i rëndësishëm”.

Ekspertët thonë se hapi i mëtejshëm logjik do të ishte që Uashingtoni dhe Moska ta përqendrojnë vëmendjen tek pakësimi i armëve bërthamore me rreze të shkurtër veprimi.

Analistët thonë se një shembull tjetër për marrëdhënie më të mira mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është ashpërsimi i pozicionit të Moskës ndaj Iranit.

“Sa më i konsoliduar të jetë qëndrimi i Këshillit të Sigurimit ndaj Iranit, aq më mirë. Dhe sigurisht dy palët që na shqetësojnë më shumë janë Rusia dhe Kina, pasi Iranit i duhet treguar se ka një qëndrim të koordinuar ndërkombëtar përballë tij. Pjesëmarrja e Rusisë në këtë drejtim është thelbësore. Do të doja që edhe Kina të bashkëpunonte në këtë drejtim”.

Duke shikuar drejt së ardhmes, shumë ekspertë thonë se Uashingtoni dhe Moska duhet të konsolidojnë përparimin e bërë në viitin 2010. Bisedimet e mundshme për kontrollin e armëve dhe kërkesa e Rusisë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë janë dy çështje kryesore me të cilat përballet Uashingoni dhe Moska në muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG