Lidhje

Marrëveshja për armët kimike dhe konflikti sirian

  • Meredith Buel

Analistët e Lindjes së Mesme thonë se marrëveshja për të shkatërruar armët kimike të Sirisë ka potencialin të ndryshojë dinamikën në konfliktin e përgjakshëm sirian.

Marrëveshja për armët kimike nuk ka ulur intensitetin e luftimeve të ashpra të luftës civile në Siri.

Por analistët thonë se ajo do të japë rezultate afat-gjata në të mirë të Presidentit Bashar al-Assad, ndërkohë që acaron më tepër kryengritësit që përpiqen ta rrëzojnë atë.

Steven Bucci drejton studimet mbi politikat e jashtme në Fondacionin Heritage:

"Në terren mund të themi se të humburit nga marrëveshja janë forcat e rezistencës ndërsa Presidenti Assad është i fituari. Ai po përfiton kredibilitet nga Rusia si dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar”.

Në komentet për emisionin This Week të rrjetit ABC, Presidenti Obama e kundërshtoi këtë pikëpamje:

"Eshtë vështirë të imagjinosh se si Assadi ka fituar legjitimitet, pasi vrau me gaz lehmues civilë e fëmijë, apo pasi ushtria e tij ka vrarë viktima të pafajshme”.

Marrëveshja eliminon kërcënimin imediat ushtarak nga Shtetet e Bashkuara, pasi Presidenti Assad ka premtuar të heqë dorë nga armët kimike.

Kryengritësit që shpresonin të përfitonin nga situata, besojnë se tani ka gjasa për ashpërsim të operacioneve qeveritare. Grupi më i madh luftarak i kryengritësve udhëhiqet nga Gjeneral Salim Idris.

"Mendojmë se rusët dhe regjimi sirian po luajnë lojra për të blerë kohë për regjimin kriminal të Damaskut”.

Analistët thonë se marrëveshja rrit edhe statusin ndërkombëtar të Presidentit Vladimir Putin, në një kohë që Moska vazhdon të furnizojë me armë Damaskun.

Salman Shaikh është drejtor i Qendrës Brookings në Doha:

"Rusia ka rritur profilin e saj strategjik. Eshtë tani në një nivel me Shtetet e Bashkuara për sa i takon përcaktimit të zhvillimeve në Lindjen e Mesme”.

Zoti Shaikh thotë se një gjë e tillë mund të ndikojë tek influenca amerikane në rajon:

"Vetë Presidenti Obama mund të thuhet se po reflekton një presidencë më të dobësuar për faktin se nuk ndërmori masat që tha se do të merrte”.

Ndërkohë që regjimi i Assadit mbetet i pacënuar, grupet e të drejtave të njeriut thonë se forcat e tij vazhdojnë vrasjet me ritme alarmante. Përsëri Steven Bucci.

"Parashikoj se ai do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet edhe për 1 vit, 1 vit e gjysëm. Eshtë për të ardhur keq, pasi ai është një diktator i tmerrshëm dhe ka bërë krime rrënqethëse mbi popullin sirian. Sirianët meritojnë më mirë”.

Armët kimike mund të eliminohen nga fushëbetejat. Por armët konvencionale do të vazhdojnë të marrin jetë ndërkohë që vazhdon konflikti i përgjakshëm në Siri.
XS
SM
MD
LG