Lidhje

Fabius për sanksionet ndaj Iranit


Arabia Saudite iu bashkua vendeve të tjera arabe të Gjirit, duke shprehur miratim, ndonëse të kujdesshëm, për marrëveshjen bërthamore të arritur nga rivali i saj rajonal, Irani dhe një grup fuqish bërthamore. Në një deklaratë të bërë sot, qeveria saudite tha se marrëveshja mund të jetë hapi i parë drejt një zgjidhjeje të përgjithshme të mosmarrëveshjeve rreth çështjes bërthamore të Iranit, me kusht që të ketë vullnet të mirë. Bisedimet për këtë çështje i kishin tensionuar marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara. Po sot, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Bashkimi Evropian mund të heqë disa sanksione kundër Iranit muajin e ardhshëm, por theksoi se çdo zbutje do të jetë "e kufizuar, konkrete dhe e kthyeshme."

Zoti Fabius i bëri komentet sot, një ditë pasi Irani ra dakord me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë lidhur me një marrëveshje që kufizon veprimtarinë e tij të pasurimit dhe lejon më shumë inspektime në këmbim të zbutjes së disa sanksioneve.

Ai tha se nga të dyja palët do të pritet që të përmbushin angazhimet e tyre:

"Vigjilenca vepron në të dy drejtimet. Pra edhe Teherani do të jetë vigjilent për të parë se sa do t'i përmbushim ne premtimet. Sepse ne jemi angazhuar për të zbutur një numër të caktuar sanksionesh,'' tha zoti Fabius.

Teksti i marrëveshjes së përkohshme përfshin disa pjesë ku përmenden synimet për arritjen e një marrëveshjeje të plotë. Këto hapa përfshijnë "kufij praktikë" përsa i përket programit të pasurimit nga Irani dhe mënyrat për ta bërë transparente natyrën paqësore të këtij programi.

Presidenti iranian Hassan Rouhani e mirëpriti marrëveshjen, duke e quajtur atë njohje të të drejtave bërthamore të Iranit dhe fillimin e fundit të sanksioneve ndërkombëtare.

"Pavarësisht se çfarë interpretimesh janë dhënë, e drejta e Iranit për pasurimin është njohur në tekstin e marrëveshjes. Dhe për këtë arsye, unë i them popullit iranian se aktiviteti pasurimit do të vazhdojë si më parë," u shpreh presidenti i Iranit.

Por Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry nuk është dakord me këtë interpretim të Iranit.

"Jo, nuk ka asnjë të drejtë pasurimi. Ne nuk e njohim të drejtën për të pasuruar. Kjo është shumë e qartë në Traktatin e Mospërhapjes," tha Sekretari Kerry.

Marrëveshja e përkohshme zgjat gjashtë muaj dhe i bën thirrje Iranit të neutralizojë stoqet e uraniumit të pasuruar në 20 për qind - nivel që është vetëm një hap nga prodhimi i armës bërthamore. Por kjo nuk e ndalon Iranin të pasurojë uraniumin nën nivelin pesë përqind.
XS
SM
MD
LG