Lidhje

Marrëveshja bërthamore me Iranin


Një marrëveshje e përkohëshme që u arrit në nëntor mes fuqive botërore dhe Iranit lidhur me programin bërthamor të Teheranit, hyn në fuqi të hënën, më 21 janar. Ajo shihet si një hap i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë lidhur me të ardhmen e programit bërthamor të Iranit, për të cilin shumë vende perëndimore besojnë se synon të prodhojë armë bërthamore - një akuzë që Teherani e mohon. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Marrëveshja e përkohëshme mes Iranit dhe 6 fuqive botërore i kërkon Teheranit ta pezullojë pasurimin e uraniumit të nivelit të lartë për 6 muaj. Si përgjigje, Perëndimi do t'i japë fund disa prej sanksioneve ndaj Iranit, me vlerën e rreth 7 miliardë dollarëve. Mark Fitzpatrick, i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, thotë se Irani do që marrëveshja të funksionojë, prandaj do t'i lejojë inspektorët bërthamorë në vend.

“Agjencia Bërthamore Ndërkombëtare, që ka të dërguarit e saj në Iran, do të jetë e aftë të inspektojë objektet e deklaruara bërthamore, do të numërojë centrifugat dhe do të mësojë me saktësi në se Irani është duke i përmbushur detyrimet që kërkon marrëveshja."

Zoti Fitzpatrick thotë se marrëveshja nuk eliminon, apo zbraps programin bërthamor të Iranit, por synon ta mbajë atë në statusin e tanishëm.

“Ky program, në nivelin e tanishëm, mund të çojë në ndërtimin e një arme bërthamore dhe mund ta realizojë këtë pas tre, katër, pesë, apo gjashtë muajsh; një periudhë gjatë së cilës mund të ndërmerren veprime ndaj Iranit. Marrëveshja së paku e pezullon periudhën përgatitore, që ajo të mos avancojë më tej."


Kundërshtarët e marrëveshjes, përfshirë Izraelin, i kanë bërë thirrje qeverive perëndimore të mos i lehtësojë sanksionet, derisa Irani të fillojë çmontimin e programit bërthamor. Por Perëndimi do të vazhdojë të ruajë kontrollin, thotë ligjvënësi britanik Norman Lamont, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Teheran, në përpjekje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Britanisë me Iranin.

"Nuk besoj se Perëndimi ka bërë ndonjë lëshim, që të mos mund të tërhiqet mbrapsht. Madje unë mendoj se e kemi zgjatur periudhën përgatitore të Iranit për ndërtimin e një arme bërthamore."

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit u zbutën që me ardhjen në pushtet të presidentit Hassan Rouhani vitin e kaluar. Por shumë analistë thonë se drejtimin e pushtetit në Iran e ka udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe se është ai që do të vendosë për të ardhmen e një marrëveshjeje të rëndësishme. Norman Lamont nuk është dakord me këtë mendim.

“Duhet shtruar pyetja: a e ka pushtetin në dorë qeveria? Duhet patur parasyh që brenda regjimit iranian ka disa qendra pushtete. Unë mendoj se ata kanë marrë një vendim, se do të donin të arrihej një marrëveshje bërthamore."

Hapësira e krijuar nga marrëveshja është shumë e rëndësishme, thotë Mark Fitzpatrick.

“Synimi në 6 muajt e ardhshëm është të punohet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do t'i jepte botës më shumë besim, se Irani nuk do të ishte i aftë të nxitonte për ndërtimin një arme bërthamore."

Disa ligjvënës amerikanë duan të vendosen sanskione të reja ndaj Iranit për programin e tij bërthamor. Por analistët thonë se masa të tilla mund ta prishin marrëveshjen e përkohëshme dhe të sillnin hakmarrjen e Teheranit.
XS
SM
MD
LG