Lidhje

Marrëveshja e Dejtonit, vështrim retrospektiv nga aktorët kryesorë

  • Pitër Fedinski

Marrëveshja e Dejtonit, vështrim retrospektiv nga aktorët kryesorë

Marrëveshja e Dejtonit, vështrim retrospektiv nga aktorët kryesorë

Marrëveshja e Dejtonit për paqe në Bosnje u arrit në nëntor 1995, gjatë administratës së presidentit Klinton dhe u nënshkrua një muaj më pas në Paris. Ish-Presidenti Bill Klinton organizoi një diskutim në Nju Jork lidhur me domethënien dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje që mbushi 15 vjet.

Bosnja në fillim të viteve 1990 përjetoi luftimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Agresioni serb në këtë republikë ish-jugosllave u kushtoi jetën 250 mijë vetëve dhe zhvendosi 2 milionë të tjerë. Evropa fillimisht e ndoqi pasive masakrën që kishte filluar. Ish-Sekretari i Shtetit Xhejms Bejkër u bëri jehonë opinionit publik dhe kundërshtimit të Kongresit ndaj idesë për ndërhyrje amerikane amerikane, kur u shpreh se Amerika nuk kishte interesa në këtë konflikt. Presidenti Klinton mendonte ndryshe.

“Së pari, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara duhet të ri-përkufizonin marrëdhënien e tyre me Evropën dhe me Naton. Gjithashtu edhe për faktin se prendimi ynë se rrëzimi i komunizmit do të çonte në një rilindje të shkëlqyer të demokracisë, lirisë dhe sigurisë, do të rezultonte krejt bosh”.

Presidenti Klinton i bëri komentet dje në një diskutim retrospektiv lidhur me Marrëveshjen e Dejtonit në Universitetin e Nju Jorkut. Ndër pjesëmarrësit ishin ish-Sekretarja e Shtetit Madalen Ollbrajt, Gjenerali në pension Uesli Klark dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Kathrin Ashton. Diskutimet përfshinë kujtime nga masakrat dhe presionin ndaj Serbisë për t’u ulur në bisedime. Ky presion përfshinte sanksione ekonomike, bombardime nga Nato kundër forcave serbe dhe furnizime me armë për boshnjakët e paarmatosur.

Ish-Ambasadori amerikan në Kroaci Peter Galbraith diskutoi se çfarë alternativash ekzistonin përveç paqes.

“Sot në 2011 mund të ishim duke diskutuar, ndërkohë që lufta bosnjako-kroate do të kishte hyrë në vitin e 20. Kroacia mund të kishte marrë një status të ngjashëm me Qipron, ku serbët të kontrollonin një pjesë të vendit në një situatë konflikti të ngrirë. Bosnja, si vatër konflikti, pa dyshim do të ishte bërë bazë me interes për terroristët”.

Pjesëmarrësit pohuan se Marrëveshja e Dejtonit nuk ka qenë e përsosur, por ajo ka vendosur paqen. Një mungesë e dukshme në diskutime ishin përfaqësues serbë.

Presidentët e Bosnjes dhe Kroacisë thanë se problemet e paqes përfshijnë papunësinë, korrupsionin, dobësitë e gjyqësorit, burokracitë të zgjeruara qeveritare dhe nivel të ulët investimesh. Drejtuesja e diskutimeve, gazetarja Kristian Amanpur u bëri thirrje dy udhëheqësve të bashkëpunojnë për zhvillim ekonomik, gjë që çoi në shtrëngim duarsh mes dy krerëve të shteteve. Presidenti i Bosnjes Bakir Izetbegoviç vlerësoi përpjekjet e homologut kroat, Ivo Josipoviç për ripajtim.

“Në Ballkan është e lehtë të ndjekësh teorinë se të gjithë janë fajtor përveç palës sate. Presidenti Josipoviç ishte i gatshëm të pranonte edhe një pjesë të fajit, duke hapur një dimension të ri në këtë aspekt. Kjo do të krijojë një atmosferë më pozitive dhe do të tërheqë investime”.

Në komentet në mbyllje të diskutimit, Presidenti Bill Klinton tha se Marrëveshja e Dejtonit ishte përpjekja e parë pas Luftës së Ftohtë për të treguar se njerëzit mund të jetojnë në një mjedis ku pala jote mund të fitojë pa pasur nevojë për disfatë për palën tjetër. Ai shprehu besimin se ky nocion mund të bëhet realitet, megjithëse ende ka shumë punë përpara.

XS
SM
MD
LG