Lidhje

11 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

  • Isak Ramadani

Sot mbushen njëmbëdhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase. Marrëveshja ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, por zbatimi i saj në praktikë vazhdon të ndeshet me sfida. Komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’i japë një mbështetje të fortë marrëveshjes.

Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit me shumë vështirësi dhe me ndërmjetësimin e të dërguarve nga Uashingtoni dhe Brukseli, arriti t’i japë fund një konflikti pesëmujor në fshatrat e Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës. Marrëveshja përmirësoi pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por ende ka opinione se kjo shkallë e të drejtave të shqiptarëve do të mund të arrihej edhe pa gjakderdhje.



Marrëveshja është miratuar në masë të madhe, por zbatimi i plotë i saj në praktikë përballet me sfida. Ligji për përdorimin e gjuhës dhe flamurit shqiptar, sipas Bashkimi Demokratik për Integrim, në pushtet, është arritje e madhe por opozita e vlerëson si nënçmues, sidomos përdorimin e flamurit shqiptar me përmasa tre herë më të vogla sipas saj, për dallim nga flamuri shtetëror maqedonas.

Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione shtetërore dhe publike ka qenë një sfidë për qeveritë e këtij vendi dhe ndërsa numri i tyre në administratë ka arritur një nivel të pranueshëm, nuk ka, nga ana tjetër, një përfaqësim të drejtë në postet udhëheqëse. Ndarja e buxhetit për komunat dhe projektet shqiptare është një çështje mjaft e debatueshme.

Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit vazhdon të marrë një mbështetje të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që u formua një vit pas konfliktit por nga struktura ushtarake e kryengritjes, për çdo përvjetor organizon pritje dhe solemnitete për hir të Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqiptarët në Maqedoni historikisht janë përpjekur që ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre dhe këtë qëllim e arritën me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u garanton që ata të jenë zotë në shtëpi të vetë”, thotë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Dy nga nënshkruesit e Marrëveshjes nuk jetojnë më: Boris Trajkovski, president i kohës dhe Imer Imeri, kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik. Lubço Georgievski, kryeministër gjatë asaj periudhe, tashmë drejton një parti të vogël pa ndonjë ndikim politik. Arbër Xhaferi, i cili për shkaqe shëndetësore prej vitesh është tërhequr nga politika aktive, ishte distancuar nga Marrëveshja duke kërkuar me partinë e tij një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Do të vazhdojmë me politikën tonë se Marrëveshja e Ohrit tashmë është tejkaluar dhe duhet një marrëveshje e re dhe Maqedonia duhet që shumë shpejt të bëjë kompromis në drejtimin e proceseve integruese, thotë Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi sot kanë vizituar varrezat e luftëtarëve të rënë në fshatin Sllupçan të Likovës, ku për herë të parë pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë kanë vendosur kurora lulesh mbi varret e ish-pjesëtarëve të guerilës.

Ambasada amerikanë në Shkup, ndërkohë, përmes një komunikate thekson marrëveshjen historike e cila i shtroi rrugën këtij vendi drejt përparimit, qëndrueshmërisë dhe një shoqërie shumëetnike, shumëkulturore dhe me besime të ndryshme, drejt synimit për integrim të plotë në komunitetin euroatlantik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG