Lidhje

Marrëveshja politike për luftën në Afganistan, e ndërlikuar


Marrëveshja politike për luftën në Afganistan, e ndërlikuar
Marrëveshja politike për luftën në Afganistan, e ndërlikuar

Ndërsa trupat amerikane fillojnë tërheqjen e tyre nga Afganistani këtë muaj, si qeveria amerikane ashtu edhe ajo afgane po bëjnë përpjekje për të arritur marrëveshje politike me Talebanin, ose të paktën me disa prej elementeve të tij. Por procesi i pajtimit, ashtu siç ishte menduar, është i ndërlikuar.

Që pas Luftës së Dytë Botërore shumica e luftrave nuk përfundojnë me një fitore të drejtpërdrejtë, por përmes një marrëveshjeje të negociuar.


Në luftra si në Vietnam, në Ballkan dhe Sudan, bisedimet zëvendësuan krismat.
Në disa raste, bisedimet çuan në një zgjidhje të përhershme dhe më shumë stabilitet. Në raste të tjera, njëra anë thjesht përpiqej të fitonte kohë.


Tani, që trupat amerikane fillojnë tërheqjen e tyre graduale nga Afganistani, po bëhen përpjekjet e para drejt negociatave politike mes qeverisë së presidentit Hamid Karzai dhe disa segmenteve ende të paidentifikuara të lëvizjes talebane.

Bisedimet gëzojnë mbështetjen e president Obama i cili tha në qershor se Afganistani nuk mund të ketë paqe pa marrëveshje politike.

“Ndërkohë që forcojmë qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë, Amerika do t’u bashkohet nismave për pajtimin e popullit afgan, përfshi Talebanin. Qëndrimi ynë është i qartë: ata duhet të udhëhiqen nga qeveria afgane, dhe ata që duan të jenë pjesë e një Afganistani paqësor, duhet të shkëputen nga al-Kaida, të braktisin dhunën dhe të respektojnë kushtetutën afgane.”


Andrju Uilder, analist për Azinë Jugore pranë Institutit Carnegie Endowment for International Peace, ka shpresa, por thotë se perspektiva për një rezultat të pastër nuk duket shumë inkurajuese.


“Mendoj se ka shumë probleme dhe ndërlikime, prandaj nuk mendoj se do të përfundojë me një marrëveshje të madhe dhe të pastër. Por nëse fillojmë t’i shfrytëzojmë rastet sapo të paraqiten, disa mund të dalin me rezultat, disa jo. Mendoj se pak nga pak, po arritëm marrëveshje me disa grupe brenda Talebanit, mund të krijojmë kushtet për përparim dhe të shpresojmë për një marrëveshje të negociuar.”


Strategjia amerikane është të stërvitë ushtrinë dhe policinë afgane deri në atë pikë, sa të marrin përsipër detyrat e sigurisë, duke bërë të mundur tërheqjen e trupave amerikane deri në vitin 2014.


Në të njëjtën kohë me tërheqjen, trupat amerikane të mbetura pas, do t’i bëjnë presion Talebanit për t’i sjellë ata në tavolinën e negociatave. Shumica e analistëve besojnë se ushtria afgane po përparon ngadalë por e sigurt, por siç thotë edhe Andrju Uilder, policia ka mbetur pas.


“Pavarësisht nga miliarda dollarë të investuara për përmirësimin e cilësisë dhe numrit, policia ka mbetur ende një pjesë e madhe e problemit të sigurisë në vend që të ishte zgjidhje e tyre. Kjo minon popullaritetin e qeverisë, në vend që të përmirësjë sigurinë për qytetarët.”
Nuk është e qartë se cili nga fraksionet Talebane do të ishte dakort të bënte marrëveshje dhe se çfarë kërkesash do të shtronin.


Ish ambasadori afgan në Shtetet e Bashkuara Said Tayeb Jawad thotë se Talebani mund të mos e ndjejë presionin për të bërë marrëveshje.


“Talebani po vihet gjithnjë e më shumë nën presion sidomos në jug, por ata kanë më shumë liri lëvizjeje në pjesë të tjera të vendit. Ata nuk duket se po e humbin luftën plotësisht. Dhe nëse nuk po humbin, ata nuk janë nën presion për të biseduar, sepse përkufizimi i fitores për Talebanin është shumë më i ndryshëm se i Shteteve të Bashkuara, apo popullit afgan.”


Talebani ka marrë përgjegjësinë për disa vrasje të kalibrit të lartë kohët e fundit, duke përfshirë atë të vëllait të presidentit Karzai dhe kryetarit të bashkisë së Kandaharit. Por pas vrasjes së kryetarit të baskisë së Kandaharit, ambasadori amerikan Rajën Krokër tha se vrasjet janë shenjë e dobësisë dhe jo e forcës së Talebanit.

Analistët thonë se Talebani do të përpiqet të shfrytëzojë çdo gjë që shihet si dobësi brenda qeverisë afgane, përfshi korrupsionin, që doli në pah gjatë skandalit të fundit që goditi institucionin më të lartë financiar të vendit, Bankën e Kabulit.

XS
SM
MD
LG