Lidhje

Marrëveshja e tregtisë së lirë trans-paqësore


Marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP) është një nga marrëveshjet më të mëdha tregtare në historinë e Shteteve të Bashkuara. Por, ajo kundërshtohet fuqishëm nga sindikatat dhe organizma të tjera në SHBA, të cilët kanë frikë se do të çojë në humbje masive të vendeve të punës. Në qytetin Galesburg, të shtetit Illinois, një tjetër kompani po mbyllet dhe shumë fajësojnë për këtë një marrëveshje tregtare më të hershme.

Tracey Warner dikur siguronte të ardhurat nëpërmjet punësimit në firmën Maytag, në degën e shitjes së paisjeve shtëpiake, e mbiquajtur “Qyteti i Paisjeve Shtëpiake”.

“Nuk ishim aty vetëm për paratë. Por, isha dhe pjesë e diçkaje ku puna ime linte gjurmë.”

Një nga produktet ishte një frigorifer që u bë shumë popullor për kuzhinat amerikane.

Tashmë këto paisje nuk i gjen dot përveçse në Shoqërinë Historike të Galesburg, e cila mblodhi prodhimin e fundit në vitin 2004.

“Më vjen për kohën që investova këtu. Madje mendoja se këtu do dilja në pension,” shprehet Tracy Warner, ish-punonjëse e firmës Maytag.

Puna e zonjës Warner, së bashku me 1500 vende të tjera pune, u zhvendosën drejt Meksikës, kur firma Maytag zhvendosi atje operacionet në vitin 2004.

“Është vështirë ta kapërcesh për shkak të krenarisë për atë çfarë bëje më parë.”

Tashmë i papunë dhe me ndihmë sociale, George Carney fajëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) të vitit 1994, për humbjen e vendit të punës ku ai punoi për 21 vite.

“Kur humben të gjitha vendet e punës në një biznes, i cili pastaj zhvendoset matanë kufirit, sigurisht që mendon se problemi është marrëveshja NAFTA.”

“Marrëveshja NAFTA favorizoi korporatat, të cilat kishin leverdi nga zhvendosja për në Meksikë,” thotë studiuesi Chad Broughton.

Libri i Chad Broughton, “Zhvillim, Dëbim dhe Eksod”, është një studim për efektet e NAFTA-s në Galesburg.

“U humbën të ardhura prej 60 milionë dollarësh dhe taksat që mblidheshin për qytetin. Ka edhe kosto dytësore për biznesin vendas.”

Zoti Broughton mendon se marrëveshja TPP nuk do të ndihmojë punëtorët amerikanë përballë kostos më të ulët të punës në vendet aziatike.

“Kina premton se TPP-ja do të jetë ndryshe nga NAFTA dhe se do të përmirësojë standartet e punëtorëve duke vendosur mekanizma në vende si Vietnami dhe Malajzia. Por, unë dyshoj se kjo gjë do të ndodhë.”

“NAFTA shkaktoi një hemoragji të ngadaltë të vendeve të punës. Mendoj se kjo marrëveshje e re do t’i dëmtojë njerëzit shumë më shpejt,” thotë zoti Carney.

Sot, Tracy Warner, punon dyfishin e orëve për të siguruar të ardhurat që merrte kur punonte për firmën Maytag. Edhe ajo ka dyshime për marrëveshjen TPP.

“Punëtorët amerikanë janë tradhëtuar. Kina është edhe më e lirë se sa Meksika.”

Kundërshtimet e Tracy Warner nuk janë të vetmet. Ratifikimi i marrëveshjes TPP përballet me kundërshtime në Kongres, si dhe ndër kandidatët presidencialë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG