Lidhje

SHBA ende pa marrëveshje për buxhetin, borxhin

  • Dan Robinson

Shtëpia e Bardhë thotë se ende nuk është arritur marrëveshje me republikanët në Kongres për një zgjidhje mbi buxhetin për të rihapur qeverinë federale dhe për të rritur nivelin tavan të borxhit.

Presidenti Obama u takua me republikanë të Senatit dhe mbrëmë vonë i bëri një telefonatë Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner për të diskutuar përparimin në negociata.

Sekretari i shtypit për Shtëpinë e Bardhë Jay Carney dhe zyra e zotit Boehner thanë se të dyja palët mendojnë që bisedimet duhet të vazhdojnë. Duke pohuar se nuk është arritur ndonjë marrëveshje, zëdhënësi Carney tha se qëndrimi konstruktiv që kishin treguar republikanët në bisedimet e fundit dëshmon se ata e kuptojnë nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje:

“Qëndrimi i Presidentit mbetet i njëjtë - Shtetet e Bashkuara nuk duhet të paguajnë shpërblim si kusht që Kongresi të bëjë punën që i takon. Ky deklarim mbetet po aq real sot, sa gjatë gjithë kësaj periudhe”.

Më parë, Susan Collins, Senatore republikane nga shteti Mejn, tha se bisedimet me Presidentin shkuan mirë por nuk sollën zgjidhje dhe republikanët ngritën shqetësimin për nevojën e një rrugëdaljeje nga borxhi publik prej 16.7 trilionë dollarësh.

“Së paku Presidenti po bisedon me të dy palët në Kongres. Ai mund mos të dojë ta quajë negociim. Por unë i shoh si negociata dhe për këtë arsye i konsideroj si hap përpara”.

Njoftime që citonin ligjvënës dhe ndihmës të tyre bëjnë të ditur se republikanët ofruan një rritje afat-shkurtër për borxhin, e cila të pasohet nga negociata për buxhetin federal.

Zoti Obama e konsideron një propozim të tillë si problematik, pasi ka këmbëngulur që qeveria të rihapet plotësisht pa kërkesa ideologjike.

Në Kongres, udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Eric Cantor tha se republikanët shpresojnë se Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të analizojë ofertën që iu paraqit, duke shtuar se mbeten optimistë se synimi është kapërcimi i këtij ngërçi politik.

Përpjekjet e republikanëve për të penguar fondet për programin për kujdes shëndetësor çuan në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale, e cila vazhdon prej 12 ditësh.

I pyetur për hapat e ardhshëm, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney përsëriti se Presidenti Obama beson se të gjitha palët duhet të vazhdojnë bisedimet për të arritur një marrëveshje për rihapjen e qeverisë dhe eliminimin e kërcënimit financiar që i kanoset vendit nëse nuk rritet niveli tavan i borxhit.
XS
SM
MD
LG