Lidhje

Pakistani: Marrëveshja Afganistan-Taliban, e arritshme

  • Ayaz Gul

Një zyrtar i lartë pakistanez thotë se beson që një marrëveshje për paqe mes Afganistanit dhe Talibanit është e mundshme nëse qeveria e Kabulit tregohet elastike.

Udhëheqja e Talibanit besohet se strehohet në Pakistan dhe sipas zërave, po udhëheq kryengritjen afgane me mbështetjen e elementëve brenda ushtrisë pakistaneze. Islamabadi hedh poshtë zërat për përfshirje, megjithëse e ka ndihmuar ardhjen e Talibanit në pushtet në vitet 1990.

Presidenti afgan Hamid Karzai i ka bërë prej kohësh presion Pakistanit të shfrytëzojë ndikimin e tij mbi Talibanin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, por organizata islamiste nuk pranon negociata deri në largimin e trupave të huaj nga vendi.

Ka shqetësime në rritje se forcat afgane të sigurimit nuk do të jenë në gjendje të parandalojnë ardhjen në pushtet të Talibanit në 2014, kur pjesa më e madhe e forcave ndërkombëtare do të largohen nga vendi.

Në komentet dje në Islamabad, Këshilltari pakistanez i Sigurisë Kombëtare Sartaj Aziz la të kuptohej se një marrëveshje për paqe në Afganistan është pranë.

Zoti Aziz thotë se “Talibani ka vendosur regjimin e tij në disa distrikte afgane, por sipas parashikimeve pakistaneze kjo organizatë nuk do të jetë në gjendje të fusë nën kontroll të gjithë vendin, pasi trupat ndërkombëtare të tërhiqen”.

Këshilltari pakistanez thotë se ka rreth 350 mijë forca afgane të sigurisë dhe aleanca veriore anti-Taliban është forcuar, prandaj ka gjasa që Talibani të jetë i gatshëm të ndalë konfiktin përmes ripajtimit politik. Ai i bëri thirrje qeverisë afgane të tregohet elastike dhe të paraqesë një ofertë që do ta nxiste Talibanin t’i bashkohej procesit të paqes.

Ndërkaq, zoti Azizi la të kuptohej se përdorimi i forcës ushtarake për të vënë nën kontroll aktivitetin ekstremist në Pakistan, është i hapur. Ai tha se aktiviteti ekstremist është një kërcënim ekzistencial në Pakistan:

Një delegacion i qeverisë pakistaneze filloi javën e kaluar një raund të ri bisedimesh për paqe me një grup figurash publike që Talibani i ka zgjedhur si ekipin e tij negociator.
XS
SM
MD
LG