Lidhje

Arrihet marrëveshja shumicë opozitë

  • Armand Mero

Pas bisedimeve të gjata, në mesnatë edhe demokratët firmosën dokumentin e propozuar nga dy ndërmjetësit e parlamentit europian. Opozita sot në parlament për të votuar tekstin, i cili do të marrë formën e një rezolute parlamentare

Në Shqipëri shumica dhe opozita arritëm në mesnatë një marrëveshje e cila pritet të votohet sot në parlament në formën e rezolutës. “Arritëm një marrëveshje të përbashkët, një tekst që e nënshkruam. Fjalën e fundit do e kenë grupet parlamentare nesër në seancë”, deklaroi deputeti Genc Pollo, përfaqësues i partisë demokratike në bisedimet me dy përfaqësuesit e së majtës, deputetin socialist Taulant Balla dhe atë të LSI-së Petrit Vasili. Arritja e konsensusit i jep kështu fund bojkotit gjashtë mujor të demokratëve dhe disa prej aleatëve të tyre. “Marrëveshja u nënshkrua. Presim që atë ta kthejmë në një rezolutë e ta votojmë nesër në parlament”, u shpreh socialisti Balla.

Palët zhvilluan bisedime të gjata edhe pasdite deri në mbrëmje, ku u duk se gjithshka ishte kthyer në pikën e fillimit. Të majtët kishin firmosur tekstin e propozuar nga dy ndërmjetësit e parlamentit europian, zëvendëspresidenti i së majtës Knut Fleckenstein dhe përfaqësuesi i Partive popullore europiane, Eduard Kukan. Por demokratët, të cilët kishin rënë dakort fillimisht me dokumentin, ishin paraqitur në bisedime me propozime shtesë. Në takimin e dytë të orës 23.00 përfaqësuesit e opozitës u tërhoqën, duke rënë dakort me tekstin bazë të propozuar nga ndërmjetësit europianë.

Sipas dokumentit të propozuar nga europarlamentarët “Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke hequr dorë nga bojkoti i Parlamentit dhe komisioneve të tij, ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”.

Pika e dytë ka të bëjë me angazhimin e palëve që “të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të anagazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Ndërsa pika e tretë lidhet me cështjen e dekriminalizimit. “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG