Lidhje

Marrëveshje armpushimi për Sudanin e Jugut


Një marrëveshje për armpushim është nënshkruar nga palët ndërluftuese në Sudanin e Jugut. Qeveria e Sudanit të Jugut dhe përfaqësuesit e opozitës nënshkruan dy marrëveshje dje në kryeqytetin etiopian Adis Abeba. Marrëveshja e parë flet për një ndalim të menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe një marrëveshje e dytë përqëndrohet tek lirimi i 11 të burgosurve politikë që mbahen nga autoritetet që nga fillimi i konfliktit në mes të dhjetorit.

Bisedimet e paqes të udhëhequra nga Blloku Afrikano-Lindor IGAD filluan herët në dhjetor. Ndërmjetësuesi kryesor Seyoum Mesfin tha se duhen marrë një numër hapash nga të dyja palët tani që marrëveshjet janë nënshkruar.

"Së pari, duhen zbatuar marrëveshjet që u nënshkruan me vullnet të mirë dhe angazhim të plotë. Së dyti, duhet të fillojë puna për rehabilitim dhe mbështetjen e qindra mijëra të zhvendosurve brenda vendit dhe refugjatëve. Së treti, së shpejti duhet të hapim dialogun politik drejt një ripajtimi të përgjithshëm kombëtar”.

Armpushimi kërkon nga forcat qeveritare dhe ato opozitare të mos lëvizin nga zonat ku ndodhen. Trupat ugandase që mbështesin qeverinë e Sudanit të Jugut duhet të largohen nga të gjitha skenat e luftimeve brenda 24 orësh.

Marrëveshja mbi çështjen e 11 të ndaluarve nuk flet për datën e lirimit.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve nuk pati komente apo fjalë të ngrohta mes qeverisë së Sudanit të Jugut dhe opozitës.

Negociatori kryesor për qeverinë Nhial Deng Nhial fajëson opozitën për vendosjen e parakushteve, si kërkesën për lirimin e të ndaluarve. Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar për luftëtarët e opozitës.

"Ajo që na shqetëson më së shumti lidhur me respektimin e marrëveshjes është kapaciteti i forcave kryengritëse. Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e forcave rebele përbëhet nga civilë që nuk e njohin disiplinën ushtarake, urdhrat për të ndalur luftimet mund të mos respektohen. Kjo do ta vinte në lojë marrëveshjen. Prandaj i bëjmë thirrje organizatës IGAD dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi t’i kushtojë vëmendje të veçantë problemit”.

Negociatori kryesor i opozitës Taban Deng Gai thotë se opozita nuk ishte iniciatorja e dhunës:

"Synimi ynë kryesor kanë qenë reformat, demokratizimi i procesit politik brenda partisë SPLM dhe transferimi paqësor i pushtetit”.

Faza tjetër e procesit të paqes mes qeverisë së Sudanit të Jugut dhe opozitës pritet të fillojë më 7 shkurt. Këta negociata politike duhet të përfshijnë pjesëmarrjen e 11 të ndaluarve politikë.
XS
SM
MD
LG