Lidhje

Sfida madhore mbeten pas marrëveshjes

  • Michael Bowman

Marrëveshja dypartiake për të rihapur qeverinë amerikane dhe për të mos lejuar skadimin e afatit për tavanin e borxhit eliminon një kërcënim imediat financiar, por nuk zgjidh sfidën fiskale afat-gjatë. Ligjvënës të të dyja partive pohojnë se përpara i presin beteja të vështira për shpenzimet, politikat fiskale dhe reformat qeveritare:

Lajme të mira u dëgjuan të mërkurën: Shtetet e Bashkuara me sa duket i shpëtuan plumbit që kërcënonte ekonominë amerikane. Senatori demokrat Mark Warner vuri në dukje se marrëveshja riaktivizon fondet federale dhe zgjat për disa muaj afatin para arritjes të nivelit tavan të borxhit:

"Kemi 90 ditë afat para se qeverisë t’i mbarojnë përsëri fondet. Kemi 113 ditë afat deri në momentin kur duhet të rrisim përsëri nivelin tavan të borxhit”.

Deri në atë moment, një grup përfaqësuesish nga të dyja Dhomat do të takohen për të hartuar një marrëveshje dypartiake dhe në përpjekje për të zgjidhur disbalancën fiskale.

Ndërkohë që ligjvënësit shprehën gëzim për marrëveshjen, ata shpejtuan të parashtronin përparësitë politike për të ardhmen. Senatori republikan Mitch McConnell u zotua të luftojë për të arritur shkurtimet automatike buxhetore që hyjnë në zbatim në fillim të vitit.

"Uashingtoni mund të shkurtojë shpenzimet. Për herë të parë që nga Lufta e Koresë shpenzimet qeveritare ranë për dy vjet radhazi. Nuk do të tërhiqemi nga kjo kërkesë”.

Marrëveshja e djeshme mban të pandryshuara shkurtimet buxhetore deri në janar, kur priten shkurtime automatike edhe më të thella me fillimin e vitit. Demokratët kanë propozuar zëvendësimin e shkurtimeve automatike me shkurtime të peshuara dhe masa për rritjen e të ardhurave buxhetore. Senatori demokrat Warner shprehet:

"Shkurtimet buxhetore u hartuan në mënyrë aq të pamenduar saqë asnjë njeri i arsyeshëm nuk do t’i pranojë. Mendoj se duhet të bëjmë shkurtime, por të gjejmë mënyra më të mençuara për t’i realizuar”.

Demokratët ka gjasa të kërkojnë shpenzime më të mëdha për arsimin, infrastrukturën dhe përparësi të tjera të brendshme. Disa republikanë duan të përjashtojnë ushtrinë nga shkurtime të tjera buxhetore por ka të ngjarë të kërkojnë shkurtime të thella në zëra të tjerë të buxhetit. Shumë demokratë duan shtimin e të ardhurave nga taksat, gjë që kundërshtohet nga republikanët.

Kompromisi do të jetë çelësi për një marrëveshje më të madhe buxhetore thotë Senatori Tim Kaine.

"Nëse arrihet marrëveshje, do të jetë një marrëveshje dypartiake. Situata tregon se duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin, duhet të negociojmë për të gjetur gjuhën e përbashkët”.

Por shpirti i bashkëpunimit dypartiak është vërejtur rrallë këto ditë në Kapitol. Pas marrëveshjes së fundit, pyetja që po ngrihet në Uashington është: a do t’u kthehen ligjvënësit veseve të vjetra dhe betejës partiake, apo shpirti i bashkëpunimit dypartiak do të arrijë të triumfojë për marrëveshje për të garantuar të ardhmen fiskale të Amerikës.
XS
SM
MD
LG