Lidhje

Sonda Curiosity ulet me sukses në Mars


Një mjet eksplorues amerikan u ul me sukses në planetin Mars sot rreth orës 5 e 30 minuta sipas Grinuiçit.Sonda me energji bërthamore, Curiosity, do të eksplorojë gjurmët e mikrobeve në planetin Mars. Ajo do të marrë gjithashtu imazhe dhe të dhëna nga planeti.

“Ulja me sukses në Mars konfirmohet. Është koha të shohim se ku do të na çojë Curiosity”, tha inxhinieri i NASË-s Allen Chen. Ndërkohë drejtori i laboratorit Charles Elachi
u shpreh kështu:

“Rreth 90 minuta më parë dola përjashtë dhe pashë drejt perëndimit, pashë planetin Mars. I thashë, brenda 90 minutash do të kesh një vizitor. Planeti më buzqeshi dhe e dija se do ishim me fat.”

Pamjet e para nga roboti u dërguan në Tokë pak minuta pas konfirmimit të uljes. Ulja kërkoi përdorimin e një parashute, ndezjen e motorëve, dhe një vinç hapsinor për të ngadalësuar shpejtësinë prej 22 mijë kilometrash në orë. Shkencëtarët e NASA-s e quajtën këtë, ulja më e vështirë e bërë ndonjëherë. “Ndonëse pa dyshim është një bashkëpunim ndërkombëtar, ne e mirëpresim pjesmarrjen.

Por kjo që shikoni është diçka që vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta bëjnë. Roboti është prodhuar në Shtetet e Bashkuara.” Roboti Curiosity është pjesa kryesore e misionit 2.5 miliardë dollarësh të NASA-s për eksplorimin e Marsit. Shkencëtarët e NASA-s presin që mjeti në madhësinë e një veture, i cili ka 17 kamera, të ofrojë pamje me ngjyra dhe informacione të tjera rreth mundësisë së jetës në Mars. Mjeti është i pajisur me instrumente për të studiuar gjeologjinë marsiane, kohën dhe nivelet e radiacionit gjatë dy viteve të ardhshme.
XS
SM
MD
LG