Lidhje

Marshimi i progresivistëve amerikanë për paqe dhe reforma


Marshimi i progresivistëve amerikanë për paqe dhe reforma
Marshimi i progresivistëve amerikanë për paqe dhe reforma

Përkrahësit e politikave liberale u mblodhën dje në Uashington për të shprehur shqetësimet e tyre para zgjedhjeve të Kongresit në nëntor. Shumë prej tyre thanë se shpresojnë që demokratët të ruajnë shumicën në Kongres, por reformat dhe ndryshimet kanë që në tepër të ngadalta që kur Presidenti Barak Obama erdhi në detyrë vitin e kaluar.

Një nga pjesëmarrësit që i binte baterive u bëri thirrje dhjetra mijëra protestuesve të mblidheshin në sheshin e monumentit të Linkolnit. Fjalime u mbajtën nëpër Parkun Kombëtar, përfshirë një kundër luftës nga një grup që quhet Komiteti i Bashkimit Kombëtar kundër Luftës. Një grup që quhet Kodi Rozë thërriste “Dua të kem liri për çajin që zgjedh, por nuk dua të financoj luftën”, duke iu referuar kështu lëvizjes Tea Party që është kundër fryrjes së qeverisë dhe në mbështetje të ushtrisë.

Lëvizja popullore konservatore mbajti marshimin e saj me motorn “Të vendosin nderin” në disa pika disa javë më parë. Të ashtuquajturit kandidatë të lëvizjes Tea Party kanë fituar disa nga zgjedhjet paraprake të opozitës republikane, duke ngjallur shqetësime si për rivalët e tyre të partisë Demokrate në nëntor ashtu edhe për disa anëtarë të partisë Republikane. Marshimi i djeshëm në mbështetje të parimeve liberale u zhvillua me moton “Një Komb”. Pjesëmarrësi Lenc Pibërn shpjegon.

"Ne kemi gjithë këta njerëz nga organizata të ndryshme që marrin pjesë në këtë miting dhe për mendimin tim, ky manifestim është i rëndësishëm që ne të kuptojmë se jemi një komb, ne kemi një zë dhe kërkesa të ngjashme”.

Protestuesit thanë se donin përfundimin e veprimeve ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan, më shumë shpenzimeve qeveritare për krijimin e vendeve të reja të punës, përtëritjen e nismave të energjisë dhe arsimit publik, një ligj të ri për imigracionin dhe një reformë më të gjerë për kujdesin shëndetësor që demokratët e kanë miratuar.

Shumë nga pjesëmarrësit kishin veshur bluza me simbolet e sindikatave që përfaqësonin. Punëtori në pension i industrisë së makinave nga Detroiti, Al Gleik, tha se është përpjekur të ndihmojë kandidatët demokratë në shtetin e Miçiganit.

"Ata kanë frikë. Ata mendojnë se janë 20 përqind mbrapa. Do të jetë interesante të shikojmë se kush do të fitojë, por sidoqoftë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona”.

Një tjetër protestuese, Kimbërli Grin, ka disa këshilla për Presidentin Obama.

"Ai po përpiqet të jetë centrist dhe që demokratët dhe republikanët të shkojnë mirë me njeri tjetrin, por kur republikanët të kundërshtojnë në çdo gjë që bën dhe demokratët nuk provojnë në fakt se njerëzit mund të mbështeten tek ta, prandaj njerëzit po i bashkohen lëvizjes Tea Party dhe republikanëve. Me pak fjalë, ai duhet t’u provojë njerëzve se është në gjendje të drejtojë vendin dhe se ata nuk kanë nevojë për Tea Party".

Artisti Xhio Andojo këndoi këngë për paqen nën një pemë, ndërsa protestuesit kalonin pranë tij. Ai tha se nuk është as republikan, as aktivist i lëvizjes Tea Party dhe as demokrat. Andojo tha se pret me kënaqësi zhvillimit e një tjetër manifestimi në fund të tetorit, atë me moton “Të rivendosim mënçurinë”. Ai organizohet nga komediani i televizionit amerikan Xhon Stjuart, i cili thotë se nuk duhen dëgjuar vetëm ata që ngrenë zërin më shumë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë në luftë jashtë vendit dhe shkalla e papunësisë dhe deficiti janë të larta.

XS
SM
MD
LG