Lidhje

Kuvendet e partive dhe çështja e martesave të të njëjtit seks

  • Peter Fedynsky

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se rreth gjysma e amerikanëve mbështesin martesat e të njëjtit seks

Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara ka shmangur gjerësisht temën e debatueshme të martesave mes të njëjtit seks, ndërsa Partia Demokrate duket e përgatitur që të mbështesë martesat e tilla për të 50 shtetet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedynsky njofton për këtë çështje nga New Yorku, një prej gjashtë shteteve amerikane që kanë legalizuar martesat gay.

Biznesi në dyqanin e luleve të Nic Faitos në Manhaten po ecën mirë, me një ngritje prej rreth 20% që nga viti i kaluar, kur shteti i New Yorkut miratoi martesën mes të njëjtit seks.

“Çdo shitës apo tregtar që merret me martesat, nga rregulluesit e ambjenteve, shoferët e taksive, të limuzinave që marrin e çojnë njerëz nëpër aeroporte, fotografët, pra secili prej tyre ka përfituar nga ky ligj”.

New Yorku u kthye në destinacion për çiftet që nuk mund të martohen nëpër shtetet e tyre. Shumë prej tyre do të donin ta shihnin martesën mes të njëjtit seks anembanë vendit. Cindy Dick dhe partnerja e saj janë nga Florida.

“Është për të ardhur keq që vijmë që nga Florida për në New York, qytet që nuk kemi prejardhjen asnjëra nga ne, dhe të gjejmë dëshmitarë këtu e të paguajmë për t’u martuar pa patur familjet pranë”.

Komisioni i platformës së Partisë Demokrate do që kuvendi i demokratëve që do të mbahet në muajin shtator të mbështesë martesat e të njëjtit seks në të gjithë vendin. Kjo e gëzon Marc Solomonin, drejtor i organizatës për Lirinë për t’u Martuar.

“Demokratët janë shumë më të interesuar në theksimin e pozicionit të tyre për të bërë për vehte bazën elektorale dhe për të bërë të kënaqur të rinjtë me kandidaturat e tyre, ndërsa republikanët janë të kujdesshëm, duket sikur nuk e duan këtë gjë”.

Republikanët e New Yorkut luajtën rol në miratimin e ligjit në shtetin e tyre, ndonëse shumë udhëheqës republikanë e kundërshtojnë martesën e seksit të njëjtë.
Në një universitet të krishterë, kandidati i mundshëm republikan për president Mitt Romney foli hapur kundër ligjit:

“Sot është koha për qëndrueshmërinë e martesës - martesa është një marrëdhënie mes një burri dhe një gruaje”.

Por kjo deklaratë është bërë muaj më parë. Së fundmi, zoti Romney ka drejtuar kritikat e tij më shumë tek ekonomia dhe partia republikane duket se nuk do të përqëndrohet në këtë çështje gjatë fushatës.

Kundërshtari i martesës mes të njëjtit seks, Paul Cameron i Institutit kërkimor për Familjen në Kolorado i tha Zërit të Amerikës përmes Skypet se ky qëndrim e dëmton partinë.

“Partia Republikane po humbet shumë nga entuziazmi i saj vetëm nga tolerimi apo heshtja për martesat homoseksaule”.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se rreth gjysma e amerikanëve mbështesin martesat e të njëjtit seks. Gjithsesi, çështja ka dështuar sa herë që është hedhur në referendum dhe vetëm 6 shtete kanë ligjëruar martesat e të njëjtit seks.
Ndërsa debati po përshkon vendin anembanë, luleshitësit e New Yorkut janë mes atyre të cilët po korrin përfitimet ekonomike nga martesat mes të njëjtit seks.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG