Lidhje

Këtë javë në Uashington

  • Michael Bowman

Kongresi nuk punon këtë javë, por ngjarjet në Uashington nuk do të mungojnë. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të shqyrtojë dy çështje historike rreth martesave të personave të të njëjtit seks. Kjo është një nga temat më të diskutueshme dhe më të ngarkuara emocionalisht në Shtetet e Bashkuara.

Një radhë filloi të formohej që javën e kaluar për vende në sallë, siç ndodh kur shqyrtohen çështje historike. Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet nëse shtetet mund të ndalojnë njerëzit homoseksualë të martohen, dhe nëse qeveria federale duhet të njohë bashkimin mes personave të të njëjtit seks.

Kjo çështje është shkak për emocione në të gjithë Amerikën.

"Si homoseksual, unë duhet të kem të njëjtën mundësi për t'u martuar, si tre vëllezërit e motrat e mia," thotë Jake Reitan.

"Martesat e të njëtit seks do të shpejtonin erozionin e kulturës së martesës," thotë Katherine Kersten.

Një anketë e opinionit tregon se 56 për qind e amerikanëve mbështesin të drejtën për martesën midis personave të të njëjtit seks, nga 37 për qind një dekadë më parë. Përkrahësit e rinj përfshijnë senatorin republikan Rob Portman.

"Djali na erdhi një ditë dhe na tha se ishte homoseksual," tregon senatori.

Djali i senatorit nuk është rast i vetëm. Janë shtuar homoseksualët që po e pranojnë seksualitetin e tyre, duke detyruar familjet, miqtë dhe kolegët që të mos rrinë pa folur. Në Amerikë po diskutohet gjithnjë e më shumë për homoseksualitetin. Janë të shumta komentet në televizion ...dhe në filma.

Artistë homoseksualë si ylli i rap-it Frank Ocean po e bëjnë publik seksualitetin e tyre.

Jo të gjithë janë të kënaqur me pranimin në rritje të homoseksualitetit. Ja si shprehet Kryepeshkopi katolik Cordileone:

"Vetëm një burrë dhe një grua mund të bashkojnë trupat e tyre në mënyrë të tillë që të mund të prodhojë jetë të re," thotë Kryepeshkopi.

Administrata e Presidentit Obama po i bën thirrje Gjykatës së Lartë të hedhë poshtë një ligj që ndalon njohjen federale të martesës midis personave të të njëjtit seks, si dhe një ligj të Kalifornisë që ndalon këto bashkime.

"Udhëtimi ynë nuk është i plotë derisa vëllezërit dhe motrat tona homoseksualë të trajtohen si gjithë të tjerët para ligjit," u shpreh Presidenti Obama gjatë fjalimit të tij të inaugurimit.

Ndërsa administrata Obama argumenton se ligji aktual federal është diskriminues dhe antikushtetues, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët po financon ekipin ligjor për të mbrojtur ligjin. Kryetari i saj John Boehner:

"Unë besoj se martesa është bashkimi mes një burri dhe një gruaje. Kjo është ideja me të cilën jam rritur."

Gjykata më e lartë e Amerikës do t'i shqyrtojë çështjet dhe vendimet priten në muajin qershor.
XS
SM
MD
LG