Lidhje

Martesat mes homoseksualëve në Gjykatën e Lartë

  • Jim Malone

Çështja e martesës midis personave të të njëjtit seks do të shqyrtohet këtë javë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara në dy raste të ndara, në datat 26 dhe 27mars. Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentat lidhur me kundërshtimin ndaj një ligji të Kalifornisë që ndalon martesat e homoseksualëve, si dhe do të marrë në konsideratë një ligj federal që përcakton martesën si një bashkim vetëm midis një burri dhe një gruaje.

Mbështetësit e martesës së homoseksualëve besojnë se opinioni publik po ndryshon në favor të tyre, ndërsa përgatiten për çështjet e ardhshme ligjore para Gjykatës së Lartë.
Evan Wolfson është themelues dhe president i shoqatës "Liria për t’u martuar."

"Kemi shkuar nga zero në nëntë shtete tani, plus Distriktin e Kolumbias, pra kryeqytetin tonë Uashingtonin, si dhe 14 vende në katër kontinente, ku personat homoseksualë tani mund të ndajnë lirinë për t’u martuar. Dhe u nisëm pothuajse nga zero pak më shumë se një dekadë më parë."

Sondazhet e fundit tregojnë një mbështetje në rritje për martesat e personave të të njëjtit seks në SHBA, sidomos nga të rinjtë, thotë anketuesi i universitetit Quinnipiac Peter Brown.

"Nuk ka dyshim që në këtë vend qëndrimi ndaj çështjeve të homoseksualëve, pra çështjeve të të drejtave të homoseksualëve, dhe martesave midis homoseksualëve po ndryshon. Gjatë 5 deri 7 vitet e fundit opinioni publik ka ndryshuar në mënyrë dramatike."

Gjykata e Lartë do të vendosë nëse ligji i Kalifornisë që ndalon martesën e homoseksualëve - i njohur si Proposition 8 - është kushtetues. Ajo do të shqyrtojë gjithashtu një çështje kundër një ligji federal të vitit 1996, i njohur si "Akti i Mbrojtjes së Martesës", që mbështet një përkufizim tradicional të martesës.
Kundërshtarët konservatorë të martesave midis personave të të njëjtit seks janë gjithashtu të gatshëm për betejë ligjore, duke përfshirë Peter Sprigg i “Këshillit të hulumtimeve mbi familjen”.

"Shoqëria ka nevojë për fëmijë. Fëmijët kanë nevojë për një nënë dhe një baba. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se martesa duhet të përkufizohet si bashkimi i një burri dhe një gruaje."

Edhe politika duket të jetë zhvendosur në favor të martesës së homoseksualëve. Ish Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tani e mbështet çështjen, pasi e kishte kundërshtuar gjatë fushatës së saj presidenciale të vitit 2008.

"Ata janë shtetas të plotë dhe të barabartë dhe meritojnë të drejtat e shtetësisë. Kjo përfshin martesën."

Senatori republikan i Ohajos, Rob Portman, befasoi konservatorët duke kaluar kohët e fundit në mbështetje të martesës midis homoseksualëve, sepse djali i tij është homoseksual.
Por republikanët e tjerë e kundërshtojnë, duke përfshirë senatorin Marco Rubio të Floridës, një kandidat i mundshëm presidencial në vitin 2016.

"Vetëm fakti që unë besoj se shtetet kanë të drejtë për të përcaktuar martesën në mënyrë tradicionale nuk tregon që jam fanatik."

Gjykata e Lartë do të marrë vendimet lidhur me dy çështjet brenda muajit qershor.
XS
SM
MD
LG