Lidhje

OKB thirrje për ndaljen e martesave të fëmijëve


Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se numri i vajzave të moshës nën 18 vjeçare, që martohen nga prindërit e tyre, do të rritet ndjeshëm nëse prirjet aktuale nuk ndryshojnë. Margaret Besheer e Zërit të Amerikës njofton nga Kombet e Bashkuara në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, viti i parë që shënohet kjo ditë, se gjatë dekadës së fundit është bërë shumë pak përparim për t’i dhënë fund martesave të fëmijëve.

Salamatou Aghali Issoufa ishte një nxënëse tipike 16 vjeçare në Niger, kur prindërit i thanë se do të martohej me një burrë 50 vjeçar, i cili kishte një grua dhe fëmijë me të. Issoufa thotë se nuk donte të martohej, por dëshironte të vazhdonte shkollën dhe të diplomohej.

“Bisedova me vëllain e madh, i cili ishte më i arsimuar se mua. I thashë se nuk desha të martohesha dhe i kërkova të më ndihmonte. I thashë se desha të vazhdoja shkollën. Ai bisedoi me prindërit dhe i bindi ata që unë të mos martohesha”.

Issoufa nuk u detyrua të martohej dhe vazhdoi shkollën, një rast i pazakontë në vendin e saj, i cili ka shkallën më të lartë të martesave të fëmijëve në Afrikë.

Sipas studimit të OKB-së, “Martesat nën moshë: T’i jepet fund martesave të fëmijëve”, rasti i saj është i rrallë edhe në shkallë globale. Studimi arriti në përfundimin se në vitin 2010, një e treta e të rejave të moshës 20-24 ishin martuar para moshës 18 vjeçare. Ky grup përfaqëson më shumë se 67 milionë vajza.

Megjithëse martesat e fëmijëve ndodhin kudo në botë, Kreu i Fondit të OKB-së për Popullatën, Babatunde Osotimehin thotë se kjo dukuri ndodh më shumë në Azinë Jugore dhe në Afrikën nën-Sahariane, duke i vënë vajzat përballë pasojash shumë të rënda.

“Martesa e të miturave kërcënon të drejtat e tyre për t’u arsimuar, përfshirë këtu informimin e përgjithshëm seksual, shëndetin, mbijetesën dhe zhvillimin e tyre të plotë. Martesa të tilla bëjnë që vajzat të mos marrin vetë vendime si koha e martesës, zgjedhja e bashkëshortit, koha e lindjes së fëmijëve dhe kohëzgjatja mes shtatzanive”.

Osotimehin vë në dukje se vajzat e varfëra janë fare pak ose aspak të arsimuara dhe jetojnë në zona rurale, ku ka më shumë të ngjarë të martohen fare të reja. Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se vajzat pa shkollë ka 3 herë më shumë të ngjarë të martohen para moshës 18 vjeçare se sa vajzat me shkollë të mesme ose të lartë.

Kreu i Fondit të OKB-së për Popullatën thotë se këto vajza janë të pambrojtura para rreziqeve kërcënuese për jetën, si për shembull komplikacione nga shtatzania dhe lindja, mungesa e kontraceptivëve dhe infektimi nga sëmundjet si pasojë e marrëdhënieve seksuale, përfshirë edhe HIV/SIDA, nga bashkëshortët e tyre shpesh më të moshuar.
Gjatë një konference shtypi këtë javë për të njoftuar rezultatet e studimit, aktivisti i Afrikës së Jugut, Arkipeshkvi Desmond Tutu bëri thirrje që t’i jepet fund martesës së fëmijëve.

“Martesa të tilla janë mizore! Këto vajza martohen me burra më të moshuar dhe as që e dinë ende se çfarë do të bëjnë me këta burra. Është diçka e tmerrshme! Ju lutem, duhet të angazhoheni dhe të ngrini zërin se martesat e vajzave të mitura duhet të marrin fund. Është një akt mizor”.

Mregjithë përpjekjet për t’i dhënë fund kësaj praktike, Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se nëse prirjet e tanishme vazhdojnë, numri i vajzave, që martohen nën moshën 18 vjeçare gjatë dekadës së ardhshme do të dyfishohet në 142 milionë.

Për sa i përket Salamatou Aghali Issoufa nga Nigeri, ajo arriti të vazhdonte shkollën dhe tani ajo jo vetëm që ndihmon gratë e tjera, por ka një punë që i siguron të ardhura. Salamatou u njoh me një djalë dhe vendosi të martohet me të. Ata kanë një vajzë të vogël dhe presin fëmijën e dytë dhe të dy fëmijët do të jenë pjesë e një brezi të ri, që do të lërë pas traditën e martesës në moshë të mitur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG