Lidhje

Nderohet trashëgimia e Martin Luther Kingut

  • Meredith Buel

50 vjet më parë ai udhëhoqi marshimin e famshëm në Uashington dhe mbajti fjalimin e njohur “Unë kam një ëndërr”

Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara nderojnë trashëgiminë e udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile, Martin Luther King Jr. Pesëdhjetë vjet më parë, më 28 gusht 1963, ai udhëhoqi marshin e famshëm në Uashington dhe mbajti fjalimin e tij të njohur "Unë kam një Ëndërr", i cili bashkoi vendin në përpjkejet për të mbështetur të drejtat e barabarta për afrikano-amerikanët.

“Sot unë dua t’i them popullit të Amerikës dhe të vendeve të tjera, se tani ne jemi në lëvizje dhe asnjë valë racizmi nuk mund të na ndalë.”

Vëmendja e vendit filloi të përqëndrohej në lëvizjen e të drejtave civile në mesin e viteve 1950, kur prift i ri afrikano-amerikan, Martin Luther King, Jr, udhëhoqi me sukses një përpjekje për eliminimin e ndarjeve racore në sistemim publik të transportit në qytetin Montgomeri të shtetit jugor të Alabamës. Zoti King organizoi protesta paqësore kundër ndarjeve racore në jug të vendit, duke bërë thirrje për të drejta të barabarta për zezakët dhe të drejtën për të votuar.

Pamjet televizive të dhunës kundër protestuesve të të drejtave civile nxitën një valë simpatie në opinionin publik.

Aktivisti i të drejtave civile Andrew Young ishte mik i ngushtë i zotit King.

“Ai na mësoi se detyra jonë ishte ringjallja e shpirtit të Amerikës nga e keqja e trefishtë e racizmit, luftës dhe varfërisë.”

Në gusht të vitit 1963 përpjekjet për barazi u intensifikuan ndjeshëm dhe 250 mijë vetë morën pjesë në marshimin për punë dhe liri në Uashington.

Kongresmeni John Lewis mori pjesë në këtë marshim.

“Kur arritëm te shkallët e Monumentit të Linkolnit, aty ishin mbledhur qindra e mijëra njerëz. Kishte shumë të rinj, të rinjtë u ngjitën nëpër pemë në përpjekje për ta parë më mirë turmën e mbledhur aty.”

Zoti King i dha energji turmës së mbledhur.

“Unë kam një ëndërr që një ditë katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Unë kam një ëndërr sot”.

Kongresmeni Lewis thotë se fjalimi kishte tone fetare.

“Ai i transformoi ato shkallë prej mermeri të Monumentit të Linkolnit në një foltore moderne, dhe më kujtohet kur ai tha se unë do të ëndërrojë sot një ëndërr të rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane”.

Aktivisti i të drejtave civile, Julian Bond, mori pjesë në këtë marshim.

“Ajo ishte protesta më e rëndësishme e zezakëve dhe përkrahësve të tyre të bardhë që donin një ndryshim në të drejtat civile, kurrë nuk ka patur një organizim të tillë në të kaluarën dhe unë jam i lumtur që mora pjesë.”

Zoti King u foli edhe të bardhëve që ishin të pranishëm në protestë dhe i bëri thirrje turmës të vazhdojë protestat paqësore.

“Kur do të vijë koha kur të gjithë fëmijët e Perëndisë, zezakë dhe të bardhë, hebrenj dhe johebrenj, protestantë dhe katolikë, do të jenë në gjendje të bashkojnë duart dhe të këndojnë këngën e vjetër shpirtërore të zezakëve, ‘të lirë më në fund, të lirë më në fund, o Zot i plotëfuqishëm, më në fund ne jemi të lirë”.

Fjalimi i Martin Luther King-ut bëri që një lëvizje kryesisht e zezakëve të jugut të shndërrohej në një fushatë mbarëkombëtare të të drejtave civile.

Në vitin 1964, zoti King fitoi Çmimin Nobel për Paqe dhe Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e të Drejtave Civile i cili e bën të paligjshëm ndarjen racore në vendet publike.

Një vit më vonë, Ligji për të Drejtat e Votimit u njohur zezakëve të drejtën e votës.

Fushata e fundit e zotit King u organizua në vitin 1968 në Memfis të shtetit Tenesi, ndërkohë që ai mbështeti grevën e punëtorëve sanitarë.
Ai u vra në një hotel lokal në moshën 39 vjeçare.

Aktivisti i të drejtave civile dhe dy herë kandidat presidencial, Jesse Jackson ishte pranë zotit King kur ai vdiq.

“Madje edhe në vdekjen e tij ai u bë më i madh. Ai u kryqëzua në Memfis, por ringjallja e tij ka ndikuar në mbarë botën”.

Martin Luther King mbajti këtë fjalim një natë para se të vdiste.

“E kam parë Tokën e Premtuar. Unë nuk mund të arrijë atje me ju, por unë dua që ju ta dini se sonte ne si popull do arrijmë atje”.

Dyzet vjet pas vdekjes së tij, disa prej ëndrrave të tij janë realizuar, përfshirë zgjedhjen në vitin 2008 të Barak Obamës si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mesazhi i Martin Luther Kingut vazhdon të frymëzojë njerëzit anembanë globit.
XS
SM
MD
LG