Lidhje

Martin Luther King dhe Obama


Të mërkurën, data 28 gusht shënon 50 vjetorin të Marshimit për të drejtat civile të vitit 1963 në Uashington, dhe fjalimin e famshëm të klerikut Martin Luther King “Unë kam një Ëndërr.” Fjalimi konsiderohet si një nga thirrjet më të fuqishme për drejtësinë racore në histori dhe hapi rrugën për përparimin e marrëdhënieve racore në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone ka përgatitur materialin rreth ëndrrës së zotit King dhe arritjes në pushtet të Presidentit Obama në Uashington.

Nata e zgjedhjeve, 2008. Barack Obama hyri në histori si presidenti i parë zezak i Shteteve të Bashkuara.

“Për shkak të asaj që arritëm sot, në këto zgjedhje, në këtë moment të rëndësishëm, Amerika ka ndryshuar.”

Ndër njerëzit në turmë ishte edhe aktivisti për të drejtat civile Jesse Jackson, i cili u përlotua nga fitorja e zotit Obama.

“Ishte dëshira e momentit dhe rruga që na u desh të bënim, momenti që shënoi fitoren e madhe. Domethënë, ne këtë nuk e imagjinonim, nuk mendonim se ishte e mundur.”

“Unë akoma kam një ëndërr. Është një ëndërr e lidhur ngushtë me ëndrrën amerikane.”

Zoti Jackson ishte pjesë e turmës edhe në vitin 1963 për Marshimin në Uashington dhe fjalimin e famshëm të zotit Martin Luther King “Unë kam një ëndërr.”

“Ëndrra ishte për të na dhënë zemër, dhe ishte shumë e suksesshme. Për të na udhëhequr drejt marrjes së lirisë. Për të hequr njollën e turpit.”

Tragjikisht, zoti Jackson ishte gjithashtu me zotin King kur ai u vra në vitin 1968.

“Plumbi i ra këtu dhe e shtyu pas derës.”

Shumë udhëheqës zezakë shohin një lidhje direkte mes zotit King dhe presidentit Obama, përfshirë edhe kryetarin e Shoqatës Kombëtare për Zhvillimin e Njerëzve me Ngjyrë – NAACP, Julian Bond.

“Ai është trashëgimtar i zotit King, jo nga lindja, familja apo diçka tjetër. Por ai po përfiton nga lëvizja që zoti King udhëhoqi dhe që krijoi për të.”
Disa të tjerë shohin një bazë më të gjerë, duke përfshirë edhe kryebashkiakun e qytetit të Njuark të Nju Xhersit Cory Booker.

“Barack Obama nuk përfitoi vetëm nga Martin Luther King-u. Ai përfitoi nga mijëra e mijëra amerikanë. Po të mos ishte për sakrificat e tyre, ai nuk do të ishte atje ku është.”

Presidenti Obama e nderoi zotin King dhe trashëgiminë e tij në universitetin ku ai kreu studimet, Morehouse College në Atlanta.

“Dhe ligjet, dhe zemrat, dhe mendjet u ndryshuan deri në pikën kur dikush që duket si ty ia arriti të bëhet president i këtyre Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Zoti Jesse Jackson thotë se zoti King do të ishte krenar për arritjen në pushtet të zotit Obama.

“Me aftësinë për të bashkuar vendin në një mënyrë që mbase ai nuk do të kishte patur mundësi ta bënte për shkak të reagimit të vendit karshi tij. Dhe pastaj fakti që u bë president për të dytën herë, mendoj se ai do të kishte qene krenar për të.”

Zgjedhjet e zotit Obama u interpretuan nga shumë amerikanë si një hap drejt realizmit të premtimit të parë të vendit për barazinë e vërtetë. Është edhe historia e një zezaku i cili u bë president me ndihmën e zotit King.
XS
SM
MD
LG