Lidhje

Të rinjtë dhe Martin Luther Kingu

  • Deborah Block

Martin Luther King

Martin Luther King

Në prag të 50-vjetorit të Marshimit në Uashington, shumë të rinj po zgjerojnë njohuritë për udhëheqësin e të drejtave civile

Në prag të 50-vjetorit të "marshimit në Uashington për punë dhe liri", shumë të rinj po zgjerojnë njohuritë e tyre rreth udhëheqësit të shquar të të drejtave civile Martin Luther King Jr. Gjatë atij tubimi të madh, ai mbajti fjalimin e tij të famshëm "Unë kam një ëndërr" (I Have a Dream), duke bërë thirrje për t'i dhënë fund ndarjes racore.

Udhëheqësi i të drejtave civile Martin Luther King Jr mbajti fjalimin e tij të famshëm në Memorialin e Lincolnit, më 28 gusht 1963.

"Unë kam një ëndërr se katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit të tyre."


Dhjetë vjeçarja Nyla Banks po viziton një ekspozitë mbi arritjet e Kingut në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington. Ajo e ka dëgjuar fjalimin e aktivistit dhe ishte e impresionuar me pjesën ku ai flet rreth dhënies fund të segregacionin.


"Mendoj se gjëja e rëndësishme që ai bëri ishte se u përpoq të ndihmonte afrikano-amerikanët dhe kjo ishte diçka që ndryshoi botën për ne, sepse tani të gjithë janë të mirë me njëri-tjetrin dhe të gjithë mund t’i japin dorën njëri-tjetrit."


Trembëdhjetë vjeçari Jonathan Williams admiron demonstratat paqësore të Martin Luther Kingut kundër segregacionit racial.


"Ai u burgos disa herë dhe jam i sigurt se shumica e njerëzve do të ishin dorëzuar në atë pikë, por ai vazhdoi me planin e tij."


Ai mesazh ka ende jehonë për Yelinda Martinez.

"Ai është i mahnitshëm. Bëri gjithçka në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunë, dhe mendoj se është diçka shumë frymëzuese."


Ky qëndrim i pëlqen ligjvënëses Eleanor Holmes Norton, e cila ishte aktive gjatë lëvizjes për të drejtat civile në vitin 1960.


"Të rinjtë duhet vetëm të shijojnë realitetin. Përndryshe, nuk do të kishim arritur shumë, në qoftë se do të ishim duke luftuar të njëjtat beteja dhe nëse njerëzit do të ndiheshin si ndiheshim ne në vitin 1963."


Yelinda Martinez thotë, se si person me origjinë hispanike, ajo e vlerëson që zoti King u përpoq të bashkojë njerëzit. Por ajo mendon se raca është ende një problem.


"Ende njerëzit e shohin njëri-tjetrin ndryshe. Ndonjëherë ata shihen nga ngjyra e tyre dhe mendoj se kjo duhet të ndryshojë."

William Bell, kryetari i Bashkisë së Birmingamit, në Alabama, thotë se përvjetori është një mundësi për të parë përpara.


"Shohim djem dhe vajza të vogla që ndoshta nuk mund ta kuptojnë lëvizjen për të drejtat civile apo të ndjejnë lidhje me të, por që përballen me sfida dhe pengesa çdo ditë."


Pesëmbëdhjetë vjeçarja Julia Link thotë se këto pengesa përfshijnë dhe stereotipet.


"Ekzistojnë ende shaka si për shembull “aziatikët nuk janë të zotët të ngasin makinën”, apo gjëra të tilla – dhe kjo është e shëmtuar – por ende sot është diçka e pranueshme, dhe mau më duket e çuditshme, sepse ne jemi të gjithë më të pranuar nga njëri-tjetri sot."


Megjithëse disa probleme vazhdojnë, shumë të rinj thonë se brezi i tyre ka tendencë t’i shohë marrëdhëniet racore ndryshe.


"Unë kam shumë miq të racave të ndryshme dhe ne të gjithë kalojmë mjaft mirë dhe mjaft natyrshëm me njëri tjetrin."

Ajo thotë se Martin Luter Kingut do t’i pëlqente kjo gjë.

XS
SM
MD
LG