Lidhje

Vdes në moshën 68 vjeçare kompozitori Marvin Hamlisch


Marvin Hamlisch

Marvin Hamlisch

Marvin Hamlisch, i cili kompozoi kolonat zanore të shumë filmave, vdiq në Los Anxhelos në moshën 68 vejçare. Kompozimet e tij do të mbeten si ikona të muzikës së filmit në Hollywood dhe Broadway.

Marvin Hamlisch, kompozitori fitues i çmimit Pulitzer për pjesën “A chorus line” dhe i njohur për një sërë çmimesh të tjera Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony, u lind në Nju Jork nga prindër emigrantë. Babai i tij ishte fizarmoniçist profesionist dhe duke parë të dhënat muzikore të të birit, e regjistroi atë në shkollën e famshme të muzikës Julliard për të marrë mësime pianoje përpara se ai të mbushte 7 vjeç.


Siç edhe e ka përmendut në intervista të ndryshme, Marvin Hamlisch shpejt e kuptoi se nuk ishte i prerë për t’u bërë pianist i koncerteve klasike. Ai në fakt e gjente vehten tek muzika pop. Në moshën 21 vjeçare ai shkroi këngën e famshme të Lesley Gori-t me titull “Sunshine, Lollipops dhe Rainbows”. Por kompozitori Marvin Hamlisch do të kujtohet së shumti për punën e tij në Broadway dhe Hollywood.

Marvin Hamlisch ishte vetëm 29 vjeç kur fitoi tre çmime Oscar për muzikën e tij në ceremoninë e 46-të të saj. Në këtë mbrëmje ai fitoi çmimin për kolonën zanore “The Sting” dhe për muzikën dhe këngën e filmit “The Way We Were”.
Disa javë më parë, Marvin Hamlisch mori çmimin e Legjendës, një çmim që jepet nga organizat jofitimprurëse për filmin, televizionin dhe median dixhitale CINE në mbrëmjen e ceremonisë së 55-të të saj.

Mark Finkelpearl, regjizor filmash dhe pjestar i bordit të shoqatës CINE, shpjegon një prej momenteve të punës së Hamlisch-it për filmin “The way we were”.

“ Ai nuk e pëlqente muzikën e skenës finale të filmit kur Robert Redford e Barbara Streisand takohen jashtë hotelit Plaza në filmin “The way we were”. Regjisori i tha se nuk kishte kohë për ndryshime, gjithçka ishte regjistruar. Por Marvin tha: “Unë do të jetojë gjith jetën time me këtë film, dhe unë e di që mund t’a bëjë më mirë. Do t’a regjistrojë vetë edhe një herë në mënyrën time. Regjisori ra dakord dhe kështu u bë”.

Pjesa më e fundit muzikore që Marvin Hamlisch ngjiti në skenë ishte prodhimi i Brodueit me titull “The Nutt Proffesor” bazuar në filmin e vitit 1963 për Jerry Lewis. Kjo shfaqje me këngët krijuara nga Marvin Hamlisch dhe Rupert Holmes, u hap në qytetin Nashville.

Një profesionist i palodhur, Hamlisch ishte edhe dirigjent kryesor për orkestrat e Pitsburgut, Milloukit, Dallasit, Siatëllit, San Diegos dhe Pasadenës dhe pritej që të merrte këtë detyrë edhe në orkestrën e Filadelfias.

Marvin Hamlisch ka fituar gjatë karrierës së tij 4 çmime Grammy, 4 çmime Emmy, tre çmime Oscar, dy çmime Globi i Artë një çmim Tony dhe një çmim Pulitzer.
Nderimi i fundit për të ishte për pjesën “A Chorus Line” e cila është shfaqur për 6,137 herë që nga viti 1975 deri në vitin 1990. Nga kjo pjesë kemi shkëputur këngën “What I Did for Love”.
XS
SM
MD
LG