Lidhje

Masa në valën e korrupsionit në Turqi


Sipas njoftimeve të shtypit në Turqi kryeministri Taip Rexhep Erdogan ka shkarkuar nga detyra rreth 350 policë në kryeqytet, mes një skandali korrupsioni që po rrezikon pushtetin e tij.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu njoftoi sot se mes personave të shkarkuar janë zyrtarë të lartë të policisë së Ankarasë. Po sipas njoftimeve, disa nga zyrtarët e shkarkuar janë transferuar në departamentet e trafikut, ose në poste të tjera policore, jashtë qytetit.

Këto masa merren ndërsa kryeministri turk Erdogan përpiqet të kontrollojë pasojat e një hetimi për korrupsion në nivel të lartë që ka mbërthyer vendin, për të cilin ai thotë se është një komplot me mbështetje nga jashtë vendit, që synon rrëzimin e qeverisë së tij.

Hetimi ka prekur dhjetra ish politikanë të lartë e biznesmenë dhe e detyroi kryeministrin ta riorganizojë kabinetin e tij, pasi tre nga ministrat dhanë dorëheqjen muajin e kaluar.
XS
SM
MD
LG