Lidhje

Masa të larta sigurie për finalen e futbollit amerikan Super Bowl


Masa të larta sigurie për finalen e futbollit amerikan Super Bowl
Masa të larta sigurie për finalen e futbollit amerikan Super Bowl

Zyrtarët e sigurisë thonë se për shkak të numrit të madh të njerëzve që pritet të marrin pjesë, loja finale e kampionatit të futbollit amerikan që mbahet sot në mbrëmje përbën një objektiv të mundshëm për terroristët. Operacioni i sigurisë që po zbatohet për mbrojtjen e mjediseve ku do të zhvillohet ndeshja e Super Bowl-it cilësohet si “operacioni i sigurisë me teknologjinë më të përparuar” në Shtetet e Bashkuara. Agjencia e Doganave dhe e Mbrojtjes së Kufijve të Shteteve të Bashkuara po luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Një shesh parkimi, kryesisht jashtë syve të publikut, ishte fusha e lojës për skuadrën që mbron tifozët e futbollit gjatë ndeshjes finale.

Agjentë si Brian Bell i Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve të Shteteve të Bashkuara përdorën mjete skanimi për të kontrolluar të gjitha ngarkesat e dërguara drejt stadiumit Lucas Oil në Indianapolis, ku do të zhvillohet ndeshja finale Super Bowl midis skuadrave New England Patriots dhe New York Giants.

“Deri tani, kemi kryer mesatarisht pak më shumë se 200 inspektime në ditë.”

Dhe bëhet fjalë për shumë kohë para fillimit të lojës.

Zoti Bell thotë se operacionet e sigurisë për ndeshjen e Super Bowl-it krahasohen me mbrojtjen që i ofrohet presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Niveli i sigurisë këtu është i barabartë me atë që do të kishim në inagurimin e presidentit ose në aktivitete të tjera të veçanta kombëtare.”

Masat e sigurisë në Indianapolis viheshin re si në tokë, ...ashtu dhe në hapësirën ajërore rrethuese.

“Prej këtu mund të shohim mjaft të mirë. Ky është avantazhi i përdorimit të helikopterëve.”

Piloti Dan Housting, po i Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve, vëzhgonte nga ajri njerëzit e grumbulluar në Indianapolis.

Duke përdorur një kamera të vendosur nën helikopter, agjentët janë në gjendje të identifikojnë probleme dhe rreziqe të mundshme.

“Por kamera është e lidhur edhe me qendrat në tokë. Pra, edhe agjentët në tokë apo në qendrat e mëdha të komandës mund të shohin se çfarë shohim ne.”

Drejtori i fluturimeve i agjencisë së doganave dhe kufijve, Eric Rembold, thotë se një tjetër rol i rëndësishëm i agjentëve të tij në ajër është ndalimi i mjeteve fluturuese që mund të përbëjnë rrezik.

“11 Shtatori na tregoi se një rrezik nga ajri është krejtësisht i mundur. Në ditët e sotme, fatkeqësisht, duhet të jemi gati për çdo gjë. Kjo është arsyeja pse ne po e rrisim sigurinë nga ajri.”

Skuadra e sigurisë ka planifikuar ndalim të qarkullimit ajëror mbi Indianapolis dy orë përpara ndeshjes.

“Ai është momenti kur zona do të jetë një hapësirë ku ndalohet kategorikisht fluturimi. Kufizimi i përkohshëm i fluturimeve do të fillojë dy orë përpara Super Bowl-it, do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së lojës si dhe një orë pas përfundimit të saj, pra bëhet fjalë për rreth 7 orë.”

Finalja e futbollit amerikan Super Bowl është një nga aktivitetet më të mëdha të sportit në Shtetet e Bashkuara, duke tërhequr më shumë se 300 mijë njerëz në kryeqytetin e Indianës.

Një ditë e qetë do të përbënte nivelin më të lartë të suksesit për agjentët që mbrojnë ata tifozë.

XS
SM
MD
LG