Lidhje

Opinioni kundër masave shtrënguese ekonomike në Evropë


Franca dhe Spanja kanë arritur shifra rekord të papunësisë, ndërkohë që kriza ekonomike në Evropë nuk duket të jetë duke përfunduar. Cikli i të dhënave ekonomike jo të mira po e kthen opinionin në Evropë kundër masave shtrënguese, të cilat janë vendosur për të kontrolluar borxhet qeveritare.

Së bashku me Gjermaninë, Franca ka qenë ndër vendet që kanë udhëhequr procesin e integrimit evropian. Por shifrat rekord të publikuara ditët e fundit tregojnë se më shumë se 3,2 milionë francezë janë të papunë, ndërsa priten dhe shkurtime të mëtejshme. Kompania automobilistike Citroen ka njoftuar mbylljen e një fabrike të saj jashtë Parisit. Gjiganti i çelikut ArcelorMittal ka filluar të pezullojë punën në disa furra.

Me një prirje të kundërt, njoftimi për punësimin më të gjerë erdhi nga agjencia kombëtare e punësimit, Pole Emploi (Pol Amplua'). Philippe Brossard (Brosar) punon për grupin i investimeve AG2R La Mondiale (La Mondial).

"Prodhimi i brendshëm i përgjithshëm ra afërsisht me 1 për qind që nga kriza financiare që filloi në vitin 2008 dhe punësimi ka rënë afërsisht me të njëjtin ritëm."

Mungesa e rritjes ekonomike ka përçarë opinionin publik. Presidenti francez François Hollande - i mbështetur nga shumë udhëheqës të Evropës jugore dhe FMN-së - fajëson për mungesën e rritjes në Evropë masat e tepërta shtrënguese, apo shkurtimet e shpenzimeve qeveritare. Por Gjermania dhe Banka Qendrore Evropiane thonë se qeveritë duhet të vazhdojnë të paguajnë borxhet e tyre.

Mes protestave kundër masave shtrënguese në gjithë kontinentin, Presidenti i Komisionit Evropian tha këtë javë se kjo politikë ka arritur kufirin e saj të mbështetjes popullore. Komisioneri i BE-së për Çështjet Ekonomike Olli Rehn e përsëriti këtë pikëpamje.

"Ky ngadalësim i ritmit të shkurtimeve është bërë i mundur nga tre faktorë: së pari, prej rritjes së besueshmërisë tek politikat fiskale, që shtetet e eurozonës kanë arritur që nga viti 2011, së dyti, prej veprimeve vendimtare që Banka Qendrore Evropiane ka ndërmarrë për të stabilizuar tregjet dhe së treti, prej reformës së qeverisjes ekonomike të BE-së."

Ideja që masat shtrënguese nuk kanë funksionuar po pranohet më gjerësisht, thotë Simon Tilford, krye-ekonomist i Qendrës për Reformë Europiane.

"Shumë vende evropiane po pendohen. Ata po shkurtojnë shpenzimet publike në një kohë kur bizneset nuk janë duke investuar dhe kur konsumatorët nuk po konsumojnë shumë. Pra, shkurtimet e shpenzimeve publike po rrisin dobësinë ekonomike të tyre."

Një lehtësim i masave shtrënguese nuk do të thotë se do të kemi një ndryshim të papritur drejt shpenzime të mëdha qeveritare, thotë Tobias Blattner, kryeekonomist për Evropën i kompanisë Daiwa Capital Markets.

"Gjithkush ende dëshiron dhe mendon se shkurtimet e shpenzimeve qeveritare duhet të mbeten objektiv dhe se janë pikërisht politika e duhur. Por mendoj se - ashtu si tha edhe presidenti i Komisionit Europian - kjo duhet bërë me një ritëm shumë më të ngadaltë në mënyrë që të sigurohet kohezioni social."

Ndërkohë, në Spanjë, shifra e papunësisë ka arritur në më shumë se gjashtë milionë njerëz, më tepër se 27 për qind e fuqisë punëtore - që përbën dhe nivelin më të lartë që nga tranzicioni i vendit drejt demokracisë në vitin 1976.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG