Lidhje

Skulptori paraqet bukurinë e matematikës

  • Susan Koster

Matematika ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e fushave që duken krejtësisht të ndara prej saj. Gjatë Rilindjes Evropiane, artistë si Leonardo DaVinci theksuan rëndësinë e matematikës në pikturë. Grekët e lashtë studiuan shkallët muzikore duke përdorur përpjestimet numerike. Sot, matematika përbën një pjesë të rëndësishme të grafikës dixhitale dhe teknikës së prodhimeve vizatimore. Por për disa artistë, matematika është frymëzimi dhe objekti i punës së tyre.

Vendosja e një skulpture të re në Universitetin Stony Brook, pranë Nju Jorkut, ishte objekti i këtij aktiviteti festues. Skulptura Umbilic Torus SC u krijua nga artisti dhe matematikani Helaman Ferguson.

Vepra u përgatit në studion e tij në Baltimore.

Ashtu si të gjitha skulpturat e tjera të artistit, edhe kjo u frymëzua nga një formulë matematikore.

"Ky është një përshkrim në terma të një strukture matematikore. Përveç skulpturës si objekt, e veçantë është edhe mënyra se si e kam krijuar atë."

Skulptura përshkohet nga një linjë e ngritur mbi sipërfaqe, e cila vazhdon pa ndërprerje, edhe kur kalon nga njëra pjesë në tjetrën.

Zoti Ferguson ka kryer studimet e doktoraturës në matematikë. Ai përdori një kompjuter si ndihmë gjatë projektimit të skulpturës, e cila përbëhet nga 144 pjesë.

"Ky është zbatimi i njërës nga formulat që udhëzojnë linjën. Do të ishte e pamundur për një qenie njerëzore të kryente të gjitha këto veprime."

Në vend të çekiçit dhe daltës, ai përdori një robot për ndërtimin e blloqeve ranore, të cilat më pas u derdhën në bronz.

Zoti Ferguson ishte folësi kryesor, këtë vit, në “Konferencën e Urave”, e cila thekson lidhjen mes matematikës dhe artit. Rreth 300 njerëz nga 30 vende të botës u mblodhën në Universitin Towson, në Baltimore, për të marrë pjesë në këtë aktivitet vjetor.

Profesori i matematikës në univeristetin Towson, Reza Sarhangi, themeloi Organizatën Bridges gati 15 vjet më parë.

"Lënda e matematikës është shumë abstrakte dhe është gjë e mirë nëse mundemi ta lidhim atë me fusha të tjera, për ta bërë më interesante."

Në veprimtarinë e këtij viti u paraqitën 150 vepra nga 90 artistë. Të gjithë ata ia kushtojnë veprat e tyre matematikës, ose e përdorin atë për të projektuar dhe për të krijuar artin e tyre.

"Është e vërtetë që matematika mund të përdoret në shumë gjëra, si inxhinieria dhe shkencat kompjuterike. Por ky është vetëm një aspekt i saj. Çfarë ofron tjetër matematika? Bukuri!"

Të njëjtin mendim ka edhe Helaman Ferguson. Skulpturat e tij e pasqyrojnë mjaft mirë atë bukuri, e cila thekson se matematika është shumë më tepër se sa vetëm numra.

XS
SM
MD
LG