Lidhje

Kryeministri italian Mateo Renzi vizitoi Shqipërinë


Kryeministri italian Mateo Renzi, vizitoi sot Tiranën, ku diskutoi me qeverinë shqiptare një seri çështjesh ekonomike dhe kulturore. Krahas temave si investimet, pensionet e emingrantëve dhe albanologjia, një vend të gjerë në konferencën e përbashkët zuri edhe operacioni i shpëtimit pranë anijes Norman Atlantic.

Kryeministri italian Mateo Renzi dhe ai shqiptar Edi Rama shprehën sot ngushëllimet për dy marinarët vlonjatë që humbën jetën në përpjekje për rimorkiuar tragetin Norman Atlantic të përfshirë nga flakët dy netë më parë. Ata i bënë këto komente gjatë një konference të përbashkët në Tiranë, ku zoti Renzi kreu një vizitë disaorëshe.

“Jemi pranë me lutje, me solidaritet pranë familjeve të viktimave, dy marinarëve shqiptarë që humbën jetën dhe gjithë qytetarëve të prekur nga ngjarja e “Norman Atlantic”. Më shumë se 400 jetë u shpëtuan në kushte të tmerrshme. Parandaluam një masakër të vërtetë”, - tha zoti Renzi.

Trupat e pajetë të dy të rinjve u dërguan sot në morgun e Vlorës, ndërsa krryeministri Edi Rama vlerësoi sakrificat e tyre, që me rimorkiatorin civil Iliria u përpoqën të tërhiqnin në breg anijen e përfshirë nga flakët.

Kryeministri Rama iu shprehu ngushëllime dy familjeve vlonjate që humbën pjesëtarët e tyre. Ai tha se ushtria dhe policia shqiptare kreu me dinjitet detyrat në operacionin që përfshiu 3 vende.

Të dy kryeministrat folën edhe për marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve. Roma premtoi mbështetje më të madhe në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërsa Tirana premtoi lehtësira për investitorët italianë, që mund të gjejnë këtu punëtorë të rinj e të kualifikuar, si dhe burime prodhimi të konsiderueshme.

Kryeministrat Matteo Renzi dhe Edi Rama njoftuan edhe hapjen e bisedimeve midis dy vendeve për njohjen e pensioneve dhe siguracioneve të punës për shtetasit në të dy vendet respektive. Krahas Greqisë, Italia është një nga shtetet fqinje me të cilët Shqipëria ka më shumë shkëmbime tregtare e ekonomike dhe një nga vendet që ka strehuar më shumë emigrantë shqiptarë në 20 vite.

XS
SM
MD
LG