Lidhje

Matja e tensionit, mënyrë për vëzhgimin e shëndetit


Studiuesi i shëndetësisë Franz Halberg njihet nga shkencëtarët e tjerë si “baba koha”. Para 60 vjetësh ai krijoi shprehjen “ritmi 24 orësh” për të shpjeguar ritmin e natyrshëm 24 orësh të trupit. Tani ai është në të 90at dhe studion ritmin e tensionit që siç thotë ai, ofron të dhëna për rreziqet ndaj shëndetit.

Shumë njerëz e masin tensionin vetëm një herë në vit, kur shkojnë për kontroll tek mjeku. Franz Halberg i Universitetit të Minesotës thotë se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Një matje thjesht të tregon se je gjallë”.

Mjeku dhe shkencëtari i lindur në Rumani, ka grumbulluar për 25 vjet të dhënat e tensionit të matur çdo 30 minuta, për 24 orë në ditë, çdo ditë.

“Sepse bëhet një instrument që shërben gjithë jetën”.

Ai thotë se matja e tensionit qoftë edhe vetëm për një javë mund të japë të dhëna të fuqishme për shëndetin.
Dhjetra shkencëtarë në gjithë botën e masin tensionin në këtë mënyrë dhe i ndajnë të dhënat me të.

Teoritë e Halbergut bënë që atë ta etiketonin si të çmendur në vitin 1959 kur ai shpiku shprehjen “ritmi 24 orësh” për të shpjeguar se si jeta përshtatet me ritmin e ditës dhe të natës. Sot ai nderohet për këtë zbulim dhe arritje të tjera, sipas bashkëdrejtorit të qendrës së tij për kronobiologji, Germaine Cornelissen.

“Dr. Halberg ishte ai që e krijoi fushën e kronobiologjisë”.

“Chronos” do të thotë kohë në greqisht. Halberg studion efektet tek shëndeti i njeriut të ngjarjeve që përsëriten rregullisht që nga ciklet që zgjasin vetëm një sekondë në tru, deri tek muajt hënorë e deri tek flakërimet diellore shumëvjeçare. Ai thotë se prirjet e tensionit të gjakut i lidhin këto cikle me shëndetin, duke nxjerrë në pah pikat më të larta dhe më të ulëta në intervale të gjata kohore, si edhe ngritje të menjëherëshme që duket se përkojnë me lodhjen dhe stresin.

Ata që punojnë me turne, me orare të çrregullta, janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për sëmundje zemre, prandaj ekipi i Dr. Halbergut thotë se ky vëzhgim është i nevojshëm. Si për shembull, prezantuesja e radios, Len Houle...

“Unë zgjohem të premteve në orën 4 të mëngjesit. M’i shteron energjitë dhe jam e rraskapitur”.

Apo baristja Molly Savory.

“Unë në përgjithësi funksionoj më mirë natën”.

Sipas Ken Wright, drejtor i Laboratorit të Gjumit në Universitetin e Kolorados, të ndjehesh mirë për një turn të caktuar nuk do të thotë që je e shëndetshme”.

“Ne nuk e kemi zbuluar dot se çfarë e bën një person më të prirur ndaj një gjendjeje të caktuar, me një rezultat negativ në vend të një tjetri, dhe kjo është vërtet një fushë studimi që po përpiqemi ta kuptojmë”.

Wright parapëlqen të masë modelet e valëve, megjithatë ai thotë se matja më e mirë e tensionit do të ndihmonte zbulimet e tjera.
Dr. Halberg thotë se me kalimin e kohës, matësit e tensionit do të jenë më të vegjël sesa një orë dore, duke e bërë matjen rregullisht diçka të zakonshme, ashtu si edhe zbulimet e reja për shëndetin.
XS
SM
MD
LG