Lidhje

Dhoma Amerikane e Tregtisë në dialog me bashkinë e Tiranës


Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe bashkia e Tiranës organizuan sot një tryezë të rrumbullakët për të përmirësuar bashkëpunimin, si dhe për të shmangur vështirësitë dhe pengesat e bizneseve në këtë periudhë krize.

Përfaqësues të Dhomës amerikane kërkuan thjeshtimin e procedurave administrative, sepse ka një seri dokumentash që kërkohen për të paraqitur një kërkesë dhe një ankesë.

Po ashtu dokumentat që kërkohen për regjistrimin e një biznesi të ri janë të tepërta, mendon dhoma amerikane dhe një sërë dokumentash dhe procedurash mund të thjeshtohen.

Përfaqësuesit e bashkisë pohuan se po përpiqen të shtojnë transparencën dhe janë të hapur për të dëgjuar vërejtjet dhe për të ndryshuar gjendjen dhe bashkëpunimin me qarqet e biznesit.

Dhoma amerikane e tregtisë pohoi se ka pasaktësi në llogaritjet e taksave të pastrimit dhe të tabelës si dhe në taksën e re të arsimit.

Ato kërkuan që bizneset që janë në likujdim e sipër të mos detyrohen që të paguajnë taskat vendore, derisa kanë njoftuar se po mbyllen dhe nuk kanë veprimtari ekonomike.

Bashkia nga ana e saj shprehu gadishmërinë për të ndërtuar një dialog të vazhdueshëm për çdo procedurë dhe për çdo taksë të re, në mënyrë që të lehtësohet puna e gjithsecilit dhe të përmirësohet jeta në kryeqytet.

Shoqatat e tregtarëve dhe biznesit të vogël zhvilluan pak kohë më parë një seri protestash para bashkisë kundër taksave të rrritura të bashkisë. Ata pohuan se taksat u vendosën pa asnjë dialog me bizenset dhe se ato po i falimentonin.

Bizneset e vogla u ankuan edhe në gjykatë për këto taksa, me shpjegimin se ato ishin jashtë mundësive të tyre, ndërkohë që fitimet dhe konsumi kanë rënë në minimum.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG