Lidhje

Bie mbështetja për presidentin Obama


Anketat e fundit tregojnë se mbështetja për Presidentin Barak Obama ka rënë, gjë që ka shqetësuar demokratët ndërkohë që ata po përgatiten për zgjedhjet e nëntorit. Një anketë e fundit gazetës Washington Post dhe kanalit televiziv ABC News tregon se mbështetja për presidentin ka shënuar një rekord të ulët prej 41 përqind. Ndërkohë, anketa e fundit e gazetës Wall Street Journal dhe kanalit televiziv NBC News tregon se mbështetja për politikën e jashtme të presidentit Obama është vetëm 38 përqind, një nivel tjetër i ulët për punën e Presidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell hollësitë.

Presidenti Obama po ndeshet me shumë sfida në fushën e politikës së jashtme, duke përfshirë dhunën në Ukrainën lindore dhe luftën civile në Siri.

Kritikët e tij nga radhët e opozitës, si senatorja republikane Kelly Ayotte, po i bëjnë thirrje për një qasje më të ashpër ndaj këtyre çështjeve.

"Jam e zhgënjyer nga reagimi i dobët i administratës dhe unë mendoj se është koha për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ekonomike ndaj sektorëve të ekonomisë ruse".

Presidenti Obama e mbrojti politikën e tij të jashtme gjatë vizitës së tij të fundit në Azi.

"Pse të gjithë janë të etur për përdorimin e forcës ushtarake kur ne sapo kemi dalë nga një dekadë e luftërave me kosto të mëdha për trupat dhe buxhetin tonë?"

Publiku në përgjithësi është dakord me këtë vlerësim, thotë anketuesja demokrate Celinda Lake.

"Amerikanët janë të lodhur nga angazhimet jashtë vendit. Ata thjesht janë të lodhur nga kjo".

Por, zonja Lake thotë se shumë amerikanë duan një përgjigje më të ashpër ndaj agresionit rus.

"Shumë amerikanë duan një politikë të jashtme më të fortë, veçanërisht nëse ka një përballje me ish-Bashkimin Sovjetik ose me një udhëheqës arrogant si Putini".

Vlerësimet e ulëta për presidentin në anketat e fundit mund të jenë problematike për kandidatët demokratë në zgjedhjet e këtij viti për kongres, thotë analist John Sides.

"Për mirë apo për keq, presidenti është kreu i partisë dhe vlerësimet për punën e tij kanë ndikim edhe mbi partinë e tij. Demokratët do të ishin në një pozitë shumë më të mirë në qoftë se mbështetja për punën e Presidentit Obama në mandatin e dytë do të ishte e njejtën me atë që kishte presidenti Bill Klinton".

Kjo do të thotë se disa demokratë do të distancohen nga presidenti me shpresën për të fituar zgjedhjet në nëntor.

"Mendoj se ata ndoshta do të përpiqen disi ta veçojnë veten e tyre nga axhenda e presidentit dhe të shpresojnë se kjo do të dobësonte çdo ndikim negativ të popullaritetit të ulët të presidentit në përpjekjet e tyre për t’u rizgjedhur".

Presidenti Obama bëri shaka mbi këtë çështje në darkën e korrespondentëve që kohët e fundit u mbajt në Shtëpinë së Bardhë.

"Njerëzit po thonë se anketat tregojnë se mbështetja për mua është në rënie, miqtë e mi demokratë nuk duan që unë të bëjë fushatë me ta. Unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë, edhe pse dje e vura re se Sasha kishte nevojë për një zëdhënës në ditën e karrierës dhe ajo ftoi Bill Klintonin".

Demokratët mund të jenë më të prirur të ftojnë ish-Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton për të bërë fushatë në emër të tyre këtë vit. Dhe zonja Klinton mund të përfitojë nga kjo, nëse ajo vendos të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
XS
SM
MD
LG