Lidhje

Kosovë: Nëntë trupa nxirren nga orteku i borës – kërkohet i dhjeti

  • Zëri Amerikës

Kosovë: Nëntë trupa nxirren nga orteku i borës – kërkohet i dhjeti

Kosovë: Nëntë trupa nxirren nga orteku i borës – kërkohet i dhjeti

Ka arritur në nëntë numri i personave që kanë humbur jetën nga pasojat e motit të lig, në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në Kosovën jugore.

Një ortek i madh bore ka shkatërruar gjashtë shtëpi në këtë fshat dhe ekipet e shpëtimit deri tash kanë nxjerrë trupat e nëntë vetave që kanë humbur jetën ndërsa ende po vazhdojnë kërkimet për personin e dhjetë që është nën gërmadha.

Ekipet e shpëtimit nxorën nga gërmadhat e njërës nga shtëpitë një vajzë rreth 5 vjeçe, e cila i kishte mbijetuar ortekut ndonëse kishte qëndruar rreth 10 orë nën të. Ata thanë se gjendja e saj shëndetësore është e mire dhe ajo po trajtohet në qendrën spitalore të Prizrenit.

Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit të mbështetur nga trupat e forcave paqeruajtëse dhe qytetarë të shumtë. Autoritetet thanë se orteku me një thellësi prej 10 metrash dhe me gjerësi prej 500 metrash kishte goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë, që ndodhet në trekëndëshin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.

Operacioni i shpëtimit ishte shumë i vështirë për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erës së fortë, që kanë pamundësuar depërtimin e makinerive të rënda në fshat.

Vendi i ngjarjes është vizituar nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ndërsa presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vizitoi vajzën e mbijetuar të familjes Reka. Udhëheqësit më të lartë të vendit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për jetët e humbura. Dita e nesërme është shpallur ditë zie në nderim të viktimave të ngjarjes në fshatin Restelicë.

Kosova tash e disa ditë me radhë është goditur nga moti i lig me reshje të mëdha bore dhe temperatura të ulta që kanë vështirësuar jetën. Reshjet e borës kanë shkaktuar shumë vështirësi në komunat perëndimore të Deçanit dhe të Pejës, duke lënë edhe shume fshatra të izoluara. Vështirësi lëvizjeje ka edhe në disa komuna të tjera të Kosovës cilat kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Për shkak të motit të lig ministria e arsimit vendosi që të vazhdojë edhe për një javë ndërprerjen e mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Edhe Universitetet publike kanë vendosur të shtyjnë edhe për një javë të gjitha veprimtaritë e tyre.

Moti i lig që ka përfshirë Evropën la pas vetes deri tash rreth 500 të vdekur.

XS
SM
MD
LG