Lidhje

Avioni i zhdukur, kërkime për objektet e para nga sateliti


Aeroplanë survejimi kanë patrulluar një zonë të largët në pjesën jugore të Oqeanit Indian, në kërkim të avionit të zhdukur malajzian, pasi Australia publikoi imazhe satelitore të një rajoni që tregon objekte të mundëshme që pluskojnë. Objektet duket se janë rreth 2,500 kilometra në jugperëndim të qytetit australian Perth. Aeroplanë australianë dhe mjete të tjera kërkimi po shkojnë drejt zonës por operacionet mund të ndeshin në pengesa për shkak të mjegullës.

Kryeministri australian Tony Abbot i tha parlamentit sot se imazhet satelitore kanë kapur dy objekte në oqean.

“Kemi informacione të reja të besueshme lidhur me kërkimet për aeroplanin malajzian të pasagjerëve në pjesën jugore të Oqeanit Indian. Autoriteti Australian i Sigurisë Detare është informuar se imazhet satelitore kanë kapur dy objekte të mundshme që kanë lidhje me operacionet e kërkimit,” tha ai.

Zoti Abbot paralajmëroi kundër nxjerrjes së ndonjë konkluzioni rreth natyrës së objekjteve, duke thënë se është tejet e vështirë gjetja e tyre. Një zyrtar australian tha se një prej objekteve duket se është 24 metra i gjatë. Ministri i Mbrojtjes i Malajzisë tha se po bashkëpunon me zyrtarët australianë rreth zhvillimeve.

“Kemi ndjekur çdo gjurmë dhe këtë herë shpresoj që është një zhvillim pozitiv.”

Ka patur disa të dhëna të rreme lidhur me kërkimet e aeroplanit me 239 njerëz në bord të zhdukur në mënyrë misterioze që nga 8 marsi. Australia ka ndihmuar në kordinimin e kërkimeve në seksionin jugor. Presidenti amerikan Barack Obama tha të mërkurën se kërkimet kanë përparësi të madhe për Shtetet e Bashkuara. Ai tha për një kanal televiziv amerikan se ka vënë çdo burim në dispozicion të operacioneve.
XS
SM
MD
LG